Të gjithë sytë nga Merkel!

490
Sigal

Angela Merkel, kryetare e CDU prej vitit 2000 dhe kancelare e Gjermanisë prej 2005, konfirmohet në mandatin e saj të tretë politik duke i udhëhequr kështu konservatorët drejt pushtetit me një rezultat që nuk arrihej prej 20 vjetësh. CDU-ja e Merkelit dhe partia e saj motër (CSU) fituan 41.5% të votave, dhe analistët e kanë quajtur këtë një fitore personale për 59-vjeçaren, i cila tani është në rrugën e duhur të arrij Margaret Thatcher si lideri femëror më jetëgjatë në Europë.

Merkel dhe Gjermania e saj (populli e konsideron si “Zonja e çeliktë” dhe ‘mamanë’ e vet) janë duke përjetuar një triumf të stabilitetit demokratik dhe zhvillimit ekonomik, këtë e tregon shumë mirë fakti që arriti të rizgjidhej dy herë gjatë krizës së madhe financiare, si asnjë lider tjetër në Europë, duke fituar mbështetje të fuqishme popullore për përzierjen e rreptësisë dhe solidaritetit të saj gjatë menaxhimit të Europës së trazuar. Dhe pas të gjitha këtyre ajo nuk i zhgënjeu të gjithë njerëzit që i dhanë mbështetjen për të udhëhequr Gjermaninë, dhe nëpërmjet Gjermanisë solide të udhëheqë Europën.

Si të gjithë politikanët ajo përbuzet nga disa dhe admirohet nga disa të tjerë. Disa mendojnë se ajo është një neoliberale e zellshme, e të tjerët se ajo është një marksiste; ajo është një mendje shkencore racionale dhe në të njëjtën kohë një ideologe fetare. Natyra e vërtetë e kancelares Merkel është aq e pakapshme sa dhe mjegulla e Detit të Veriut, shprehen shumë analistë dhe gazetarë. Gjithsesi ajo që është mjaft e dukshme është përkushtimi dhe puna e saj e pandalshme për ta çuar shtetin e saj drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe të përhershëm. Merkel nuk i ikën përgjegjësive, nuk e ngatërron shtetin me pushtetin, nuk refuzon të pranojë gabimet dhe nuk e fsheh gjendjen ekonomike të vendit të vet dhe Europës, por vetëm punon për të mos çuar në konfuzion popullin e saj dhe europianët. Për të gjitha këto karakteristika, që i vishen personalitetit të saj si udhëheqëse, ajo votohet e pëlqehet nga shumica gjermane, mbështetet e nderohet brenda e jashtë vendit, ndaj u bë dhe mbetet lideri kryesor i Europës së Bashkuar. Politika në këtë rast tregon dhe i hedh poshtë të gjitha argumentet skeptikëve dhe atyre që mbështesin steriotipet se, femrat nuk kanë performancë aq të mirë sa meshkujt në qeverisje. Gjithçka bazohet mbi mendjemprehtësinë dhe logjikën për të përdorur pushtetin si instrument të arritjes së prosperitetit dhe jo të përdoresh nga pushteti.

Zgjedhjet elektorale në Gjermani, 2013

Sistemi zgjedhor gjerman është me dy vota: 50% mazhoritar dhe 50% proporcional.

Bashkimi Demokratik Kristian (CDU) dhe Bashkimi Kristian Social i Bavarisë (CSU) shënuan rezultatin e tyre më të mirë që prej zgjedhjeve të vitit 1990 dhe vetëm për 5 vende nuk arritën të siguronin një shumicë të drejtpërdrejtë, diçka që ka ndodhur vetëm një herë, në vitin 1957. Partia e Lirë Demokratike (FDP), pjesëmarrëse në koalicionin e mandatit të dytë qeverisës, nuk arriti të kalojë pragun prej 5% për të fituar vende në Bundestag dhe për këtë arsye nuk do ketë përfaqësim për herë të parë në historinë e partisë. Si rezultat, CDU / CSU do të duhet të kthejnë sytë nga partia opozitare Partia Social Demokrate (SPD) për të formuar një koalicion të madh (siç këto parti kanë bërë në të kaluarën 1966-69 dhe 2005-09), ose me të Gjelbrit (me të cilët CDU ka punuar në nivel shtetëror, por asnjëherë federal).