Taylor Swift, sukses i pabesueshëm në iTunes. Plot 800.000 kopje të shitura në vetëm një orë

Vetëm tri ditë nga publikimi të albumit të saj më të ri “Reputation” dhe me sa duket, këngëtarja me famë botërore, Taylor Swift, po korr sukses masiv. Shitjet priteshin të ishin të larta, por askush nuk mund ta merrte me mend që në vetëm një orë nga publikimi i albumit, të shiteshin rreth 800.000 kopje në iTunes. Në ditën e parë, ajo shiti më shumë kopje se sa çdo artist tjetër ka shitur në një vit të tërë me albumin e vetë. Shumë analistë të projekteve muzikore të këngëtarëve të njohur shpreheshin se këngëtarja mund të arrinte rreth 1.7 milionë kopje të shitura, duke e kaluar me gjysmë milioni edhe albumin e saj të mëparshëm “1989”, që gjithashtu korri goxha sukses, por askujt nuk ia merrte mendja që shitjet të kapnin një shifër kaq të lartë që në orën e parë të daljes së albumit.

Ajo çfarë e bën të veçantë albumin më të ri, është fakti se kohët e fundit nuk ka pasur më ndarje të këngëtares me dikë. Rrjedhimisht nuk mund të mendohet se ky album i është dedikuar ndonjë ish-i të saj, siç ka ndodhur me albumet parardhëse. Nga ana tjetër, gjithë publiciteti i bërë nga këngëtarja, ishte tepër i veçantë. Çaktivizimi i llogarisë së saj në Instagram, fshirja e gjithë postimeve të mëparshme, heqja e gjithë ndjekjeve të saj drejtuar personave të tjerë publikë dhe mbi të gjitha, postimet tepër intriguese për albumin e ri, e bënin shumë të pritur datën 10 nëntor për të dëgjuar atë çfarë këngëtarja kishte realizuar për fansat e saj dhe jo vetëm.

Prezantimi i dy videoklipeve të këngëve “Look what you made me do”, si dhe “Ready for it” me miliona klikime në shumë pak kohë, prapë nuk e bënte të parashikueshëm kaq sukses nga ana e Taylor Swift. Ndërkohë vetë këngëtarja që ka ardhur me ide të reja në këtë album, duket sikur nuk ka dalë totalisht nga vetja. Jo çdo këngë e saj ka të bëjë me moskokëçarjen, apo me ndryshimin radikal të vetes. Ajo ka publikuar gjithashtu këngën “New Year’s Day” duke e kënduar live në piano dhe jo vetëm që mund të vihet re talenti i saj i padiskutueshëm në shkrimin e teksteve të këngëve, por gjithashtu edhe vokali i saj që nuk mund të mohohet se është goxha i mirë.

Ndërkohë, e vetmja gjë që i ka acaruar disa prej fansave të këngëtares, është se sërish albumi i saj nuk mund të gjendet dot free (pa pagesë) në internet. Ai mund të blihet vetëm në iTunes për një çmim prej 13.99$ dhe realisht, krahasuar me çmimet e albumeve të tjerë, është çmim paksa i lartë. Disa e kanë quajtur këngëtaren edhe materialiste, por duhet të kuptojmë se ajo, apo kushdo tjetër, nuk mund ta ofrojë falas mundin e saj, për të cilin ka punuar vite dhe normalisht kërkon të fitojë prej tij, siç do të kërkonte të fitonte çdokush nga ne në punën që bën.