Tanket e SHBA/ Polonia: “Sa ju pritëm, na latë vetëm”, Moska tregon dhëmbët

522
Sigal

Udhëheqësit polakë e quajtën mbërritjen e ushtarëve amerikanë në Poloni plotësimin e ëndrrave të dekadave. Kjo është hera e parë që forca perëndimore stacionohen në një bazë të përhershme në skajin lindor të NATO-s.

Ka kaluar shumë kohë që kur ushtarë të huaj janë brohoritur në Poloni nga shumica e polakëve. Më shumë se 200 vjet më parë, polakët brohoritën për ushtrinë e Napoleon Bonapartit.
Por kjo ndodhi sërish fundjavën që sapo kaloi. 23 vjet pas largimit të trupave të fundit sovjetike, në qendër të Varshavës dhe në shumë qytete të tjera polake u zhvilluan ceremoni mirëseardhjeje: për ushtarët e SHBA, të cilët do të vendosen në Poloni. Momenti është historik, pasi asnjëherë më parë trupa perëndimore nuk kanë qendruar të stacionuara në mënyrë të përhershme në kufirin lindor të NATO-s.

‘Ju kemi pritur shumë gjatë’
“Kemi pritur për një kohë shumë të gjatë”, u tha ministri polak i Mbrojtjes Antoni Macierevicz trupave që priti në qytetin perëndimor polak të Zaganit. “Ne pritëm për dekada, duke ndierë disa herë se na patën lënë vetëm, nganjëherë thuajse duke e humbur shpresën, nganjëherë duke ndierë se ne kemi qenë të vetmit që e mbrojtëm civilizimin nga agresioni që erdhi nga Lindja”. “Kjo është një ditë e rëndësishme për Poloninë, për Evropën, për mbrojtjen tonë të përbashkët,” tha kryeministrja polake Beata Szydlo.
Ndryshimi i pranisë amerikane në Gjermani, ku qëndrojnë të stacionuar 36.000 ushtarë amerikanë ka kohë që diskutohet. Me rënien e Perdes së Hekurt Gjermania nuk ka më nevojë për mbrojtje. Dhe është e kushtueshme që në Gjermani të mbahet një prani ushtarake e përmasave të tilla. Këto janë argumentat që janë përsëritur prej vitesh. Por në terren nuk ndryshoi asgjë. Deri në momentin kur Rusia aneksoi Krimenë, në vitin 2014. Kjo e bëri ministrin e Jashtëm të Polonisë, Radoslav Sikorski që të kërkonte dy brigada amerikane shtesë, për t’u mbrojtur më mirë.
Protesta nga Moska
Brigada tankiste amerikane në shpërnguljen në Poloni
Njëra prej këtyre brigadave është vendosur tani në Zagan, rreth 96 kilometra larg kufirit gjerman. 3500 ushtarë nga Colorado, të shoqëruar nga 87 tanke dhe 400 automjete të tipit Humvee do të jenë pjesë e operacionit “Atlantic Resolve”. Trupa të reja do të vijnë me rotacion çdo nëntë muaj.
Rotacioni i trupave është mënyrë se si NATO-ja respekton premtimin që i ka dhënë Moskës pas rënies së Bashkimit Sovjetik: që nuk do të stacionojë një numër të madh trupash në Lindje të Gjermanisë, nëse situata e sigurisë mbetet e pandryshuar.
Megjithëkëtë, Moska ka protestuar për këtë operacion. Mediat shtetërore ruse e kanë quajtur “agresiv” stacionimin e trupave të NATO-s.
Kjo ndonëse Moska vetë, që prej vitit 2007 ka kryer disa manovra ushtarake në këtë zonë. Në manovra kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra ushtarë përgjatë kufijve perëndimorë të Rusisë ose në Bjellorusinë fqinje, në stërvitje për operacione kundër Polonisë dhe Estonisë.
Kërcënimi për Shtetet Baltike
Prania ushtarake amerikane është një shërbim ndaj aleatëve të NATO-s. Eshtë vendosur të formohet një forcë e bashkuar aleate, në kuadër të së cilës, në Poloni, Lituani, Letoni dhe Estoni do të vendoset nga një batalion multinacional. Të gjitha këto janë shtete anëtare të NATO-s.
Në 19 janar është planifikuar që 500 ushtarë gjermanë të largohen nga baza e tyre në Bavari për në Lituani, ku ato do të vihen në krye të 500 forcave të tjera shtesë nga vende të tjera. Në Estoni do të stacionohen trupa britanike. Në Letoni do të vendosen trupa kanadeze, të cilat në prill do të përforcohen nga trupa të tjera amerikane që do të vendosen atje.
Ekspertë ushtarakë kanë paralajmëruar prej kohësh se Rusia mund t’ua ndërpresë shumë lehtë vijat e furnizimit shteteve Baltike të NATO-s, nëse vendos të avancojë në Shtetet Baltike. Kjo megjithë shtimin e investimeve në mbrojtje që kanë bërë këto shtete që prej vitit 2014. Operacioni i saponisur është arritja më e rëndësishme e takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë, në korrik 2016. Por zgjedhja e Donald Trumpit si President i SHBA i ka shqetësuar disa në rajon. Trumpi ka thënë që SHBA nuk duhet të mbrojë anëtarë të NATO-s që nuk i kanë plotësuar detyrimet e tyre financiare ndaj NATO-s. Polonia dhe Shtetet Baltike janë në pozicion relativisht të mirë përsa u përket detyrimeve ndaj aleancës.