Takimi Trump-Jinping, diskutojnë për ekonominë dhe Korenë e Veriut

454
Presidenti amerikan Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, do të diskutojnë sot në Florida të Shteteve të Bashkuara, një sërë çështjesh të ndjeshme, përfshirë bashkëpunimin ekonomik, veprimet agresive të Koresë së Veriut si dhe pozicionin e Uashingtonit në raport me Taivanin. Në darkën zyrtare, Trump u shpreh se bisedimet do të jenë disi të vështira, por nënvizoi se ndihej optimist pasi palët kanë arritur të ndërtojnë një raport miqësor.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka mbërritur në resortin Mar-a-lago të Floridas teksa është takuar për herë parë me homologun e tij amerikan, Donald Trump, me të cilin pritet të diskutojë ditën e sotme për një sërë çështjesh me rëndësi, duke filluar nga bashkëpunimi ekonomik, e deri tek çështja e Koresë së Veriut.

Në darkën e djeshme, Trump u shpreh se kishte arritur që të zhvillonte një marrëdhënie miqësore me homologun e tij, ndërkohë që shtoi se ishte optimist për të forcuar lidhjet mes dy vendeve.

“Është një nder t’ju kemi në Shtetet e Bashkuara. Kemi patur një diskutim të gjatë deri më tani. Kemi ndërtuar një marëdhënie miqësore dhe unë mund ta dalloj këtë. Besoj se në terma afatgjatë, ne do të arrijmë një bashkëpunim mjaft pozitiv, dhe mezi po pres që të hedhim hapa të tjerë në këtë drejtim.”

Presidenti Trump më herët ka shprehur pakënaqësi të theksuara në lidhje me mënyrën se si kanë bashkëpunuar Shtetet e Bashkuara dhe Kina kur flitet për çështje ekonomike, ndaj kjo çështje do të trajtohet me mjaft seriozitet.

Gjithashtu, lideri i Uashingtonit është raportuar se do të ushtrojë presion për Korenë e Veriut, ndërsa ka kërkuar edhe më herët mbështetjen e Pekinit për të ulur tensionin në gadishullin Korean.

Nga ana tjetër, Presidenti Xi Jinping, do të tentojë të marrë garancinë e Trump për çështjen e Taivanit.

Të dyja palët e kanë pranuar se bisedimet do të jenë disi të vështira, por nënvizojnë se me vullnet të ndërsjelltë, mund të gjendet një linjë e përbashkët.
Sigal