Takimi Mustafa-Vuçiç, nënshkruhet marrëveshja për drejtësi mes palëve

474
Sigal

PRISHTINE – Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç, në zyrat e BE-së në Bruksel, përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes për drejtësi. Sipas ndërmjetësueses së BE-së Federica Mogherini marrëveshja është arritur pas rreth 4 orë bisedime. Ajo ka shkruar në rrjetin social Twitter

“Sapo nënshkruam marrëveshjen për drejtësinë: Rezultat i mrekullueshëm në rifillimin e dialogut Beograd – Prishtinë! Faleminderit të dyja palëve”.

Pas takimit ku morën pjesë dhe ministrat e jashtëm Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, kryeministri Mustafa deklaroi se marrëveshja mundëson funksionimin e sistemit unik të drejtësisë në Kosovë.

I pyetur nëse janë diskutuar tema të tjera në dialog, Mustafa tha se nuk ka pasur kohë për bisedime jashtë axhendës. Ai deklaroi se nuk do të hapen tema të reja, pa u njësuar institucionet paralele në veri, duke vendosur theks të veçantë tek Mbrojtja Civile.

Ndërkohë, kryeministri serb Vuçiç deklaroi se me arritjen e marrëveshjes përfiton më tepër Serbia dhe serbët e veriut, të cilët do të mbipërfaqësohen në Gjykatën e Mitrovicës, e cila do të ketë 9 prokurorë shqiptarë e 9 serbë.

Përfaqësuesja e BE-së, Mogherini, në anën tjetër ka bërë me dije se dy kryeministrat do të punojnë sëbashku gjithashtu dhe për çështjen e migrimit ilegal të kosovarëve.