Takimi i 8-të i Komitetit të Stabilizim Asociimit/ Çfarë duhet të përmirësojë Shqipëria

432
Në Bruksel u zhvillua takimi i 8 i Komitetit të Stabilizim Asociimit (SA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Takimi u bashkë-kryesua nga Znj. Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian dhe Znj. Eralda Cani, Zëvendës Ministre, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Komiteti i Stabilizim-Asocimit mori në konsideratë zhvillimet më të rëndësishme të vitit të kaluar në fushat e sundimit të ligjit, reformës së administratës publike, tregtisë, zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe peshkimit, industrisë, tregut të brendshëm, shoqërisë së informacionit, politikave sociale, transportit, energjisë dhe mjedisit. Gjithashtu u rishikua edhe gjendja aktuale në lidhje me zbatimin e ndihmës financiare të BE.
Komisioni Evropian përshëndeti përparimin pozitiv në të gjitha fushat dhe theksoi nevojën për të parë rezultate të prekshme, veçanërisht në reformën e drejtësisë dhe në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për të vazhduar progresin në të gjitha prioritetet kyçe, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, reformën e administratës publike dhe të drejtat themelore.
Përtej pesë prioriteteve kryesore, Komisioni Evropian theksoi se ka çështje të tjera të rëndësishme që duhet të trajtohen. Në veçanti Komisioni pranoi angazhimin e autoriteteve shqiptare në trajtimin e fenomenit të aplikimeve të pabazuara për azil në shtetet anëtare të BE-së dhe u kërkoi atyre të vazhdojnë përpjekjet për të adresuar këtë çështje. Komisioni Evropian rikujtoi se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një pjesë thelbësore e progresit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. U theksua roli i Shqipërisë si një partner strategjik për BE dhe u vlerësua pozitivisht përafrimi i plotë i vazhdueshëm me Politiken e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Sigal