Takim i përzemërt i grupit të miqësisë parlamentare Shqipëri-Itali

516
Sigal

Dy krerët e grupimeve Senatori Margiotta dhe deputeti Fatmir Toçi shpalosin programet e këtij grupimi

Shpeshherë miqësitë dhe ndjenjat e popujve janë shprehur nga grupime të ndryshme qytetarësh për të shprehur ndjenjat miqësore dhe mirënjohjen e ndërsjellë midis njëri-tjetrit. Por këtë radhë ka ndodhur ndryshe. Sepse më datë 12 dhjetor 2013, një grup deputetësh nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, të cilët shoqëronin Kryeministrin Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali, zhvilluan një takim me grupin e miqësisë parlamentare italo-shqiptare, me përfaqësues nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve italianë. Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Kryetari i Grupit të miqësisë parlamentare italiane, Senatori Margiotta, falënderoi deputetët shqiptarë për vizitën në Senatin italian, duke theksuar se Italia i ka qëndruar dhe e ka ndier veten gjithnjë shumë afër Shqipërisë, mbi të gjitha duke marrë në konsideratë që dy vendet tona kanë interesa të përbashkëta në shumë fusha.  Kryetari i grupit të miqësisë parlamentare bëri një pasqyrim të shkurtër të objektivave të këtij grupi, duke theksuar që objektivat janë të përbashkëta për të dy grupet dhe, edhe realizimi i tyre do të jetë i suksesshëm nga angazhimi i përbashkët i anëtareve të të dy grupeve të miqësisë, në Romë dhe Tiranë. Përfaqësuesi i grupit të miqësisë parlamentare shqiptare, Deputeti Fatmir Toçi, pasi falënderoi Senator Margiotta për mirëpritjen dhe angazhimin në krijimin e grupit të përbashkët të miqësisë, informoi mbi krijimin e grupit të miqësisë më Italinë në Kuvendin e Shqipërisë, për pjesëmarrje në të cilin është shfaqur një interes i lartë nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Fakt ky që reflekton edhe lidhjet dhe interesat e përbashkëta të Shqipërisë me Italinë. Deputeti Toçi, konfirmoi angazhimin në nivel parlamentar për përmbushjen e objektivave të përbashkëta në të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve parlamentare, duke vënë theksin kryesor në aspektin ekonomik të tyre. Në vijim u zhvillua një bashkëbisedim ndërmjet deputeteve dhe senatorëve të pranishëm në takim. Senatore Stefania Giannini, në kuadër të pozicionit të saj si Presidente e Grupit Parlamentar në CEI (Iniciativa e Evropës Qendrore) dhe duke iu referuar Strategjisë së Makrorajonit Adriatiko-Jonian, e planifikuar në axhendën e Presidencës italiane të BE-së për vitin 2014, u përqendrua në integrimin, zhvillimin, inkurajimin e shkëmbimeve dhe iniciativave të përbashkëta ndërmjet dy grupeve, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë edhe promovimit të kulturës, kjo jo vetëm në kudër të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe shumëpalëshe (CEI). Duke pranuar se komuniteti shqiptar në Itali luan një rol të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, si dhe se ndërveprimi i njerëzve, nëpërmjet shkëmbimeve tregtare edhe ekonomike, sjell edhe ndërveprim kulturor dhe njohje më të gjerë, të pranishmit ranë dakord që duhet punuar së bashku në promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me anë të hartimit të programeve të biznesit, apo formimit profesional.

Objektivat

Ndër objektivat më kryesorë për të realizuar u identifikuan këto çështje: TAP- realizimi i këtij projekti krijon mundësi reciproke për të punuar bashkërisht; Bashkëpunimi ekonomik- shkëmbimi i informacioneve ndërmjet deputetëve lidhur me zbatimin e projekteve të “cooperazione italiana” do të krijonte një strukturë komunikimi dhe informimi, duke u shtrirë edhe mes autoriteteve lokale, ku realisht zbatohen projektet. Përveç arritjeve që janë të shumta dhe për t’u vlerësuar, identifikohen edhe pengesa apo hasen probleme (p.sh. petrolifera në Vlorë), por nëse krijohet një rrugë komunikimi më anë të dialogut institucional, edhe gjetja e zgjidhjeve do të jetë më efikase; Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë ndërmjet dy vendeve- për tu vlerësuar vizita e Ministrit të Drejtësisë Naço me homologen e tij Cancellieri në datë 5 dhjetor 2013, ku u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve në fuqi mes dy vendeve për ekstradimin dhe transferimin e të dënuarve në vendin e origjinës; Realizimi i vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z.Meta në Itali në fillim të vitit 2014; Zhvillimi i vizitës së grupit të miqësisë parlamentare italiane në Tiranë, gjatë tre-mujorit të parë të vitit 2014; Zhvillimi një konference për promovimin e sipërmarrësve të të dy vendeve (në Tiranë ose Romë, siç do të vendoset bashkërisht). Në përfundim të takimit, të pranishmit vlerësuan përcaktimin e objektivave të përbashkëta të punës dhe shprehën angazhimin për përmbushjen e tyre në komunikim dhe bashkëpunim të ndërsjellët ndërmjet tyre.

 Deputeti Fatmir Toçi: Ja pse u krijua grupimi parlamentar Shqipëri – Itali

Në emër të një grupi deputetësh kemi ndërmarrë nismën për krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Itali me synim vendosjen dhe forcimin e lidhjeve të ndërsjella të bashkëpunimit kulturor, ekonomik, social etj. Kjo ftesë e parë u është drejtuar një numri të caktuar të kolegëve deputetë përfaqësues nga të gjitha forcat politike në Kuvend, por do të jetë e hapur në vijimësi për të gjithë ata që dëshirojnë të aderojnë në këtë grup. Jemi të informuar që edhe në Parlamentin Italian është krijuar që në muajin tetor 2013 Grupi Parlamentar i Miqësisë Itali – Shqipëri me 45 deputetë, kryetar i të cilit është zgjedhur senatori Salvatore Margiotta. Javën që shkoi, bashkë më disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, pata rastin të zhvilloj një takim në Parlamentin Italian me kryetarin e këtij Grupi, z. Margiotta dhe një grup deputetësh anëtarë të këtij grupi, ku u theksua dëshira e përbashkët për të bashkëpunuar e koordinuar veprimtaritë tona në interes të forcimit të lidhjeve parlamentare midis Shqipërisë e Italisë me interesa të ndërsjella në fushën kulturore, ekonomike, të sipërmarrjes dhe për ti kushtuar një vëmendje më të madhe ndihmës e mbështetjes për brezin e ri. Për të diskutuar rreth kësaj nisme dhe për ta formalizuar krijimin e Grupit tonë Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Itali, ju ftoj të mblidhemi së bashku në një takim të shkurtër ditën e enjte, datë 19 dhjetor 2013, ora 12:00 – 12:30, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit”, tha në fjalën e tij deputeti Fatmir Toçi.