Takim i ministrave të financave të BE-së

403
Ministrat e financave të Bashkimit Evropian u takuan sot në Luksemburg pasi bisedimet mes ministrave të financave të Eurozonës nuk sollën përparim për një marrëveshje me Greqinë. Pas takimit, ministrat e eurozonës thanë se Ministri grek i Financave Janis Varoufakis nuk erdhi me propozimet konkrete që ata kishin shpresuar të dëgjonin prej javësh.
Athina dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë nuk po arrijnë dot një marrëveshje për borxhin. Greqia nuk pranon të dalë me reforma për pensionet apo për rritje takasash të kërkuara nga kreditorët. Ndërkohë që Greqia është afër falimentimit, njerëzit në Greqi po shpejtojnë të tërheqin paratë nga bankat dhe të ardhurat e qeverisë kanë rënë.
Greqia ka thënë se nuk do të jetë në gjendje t’i paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar një këst borxhi prej 1,6 miliard dollarësh me 30 qershor, nëse nuk merr fonde të reja nga kreditorët. Nëse ajo nuk paguan, kjo mund të shkaktojë një zinxhir masash që mund të çojnë deri në daljen e Athinës nga eurozona. Drejtorja e FMN-së Christine Lagarde ka përjashtuar mundësinë që Greqisë t’i ofrohet një periudhë shtesë. Ajo ka thënë se FMN-ja do ta mbajë Greqinë përgjegjëse nëse ajo nuk paguan.
Krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian do të mbajnë një takim urgjent të hënën në Bruksel. Kryeministri grek Aleksis Tsipras tha sot në një deklaratë se “do të ketë një zgjidhje për krizën e borxhit grek e cila do të lejojë që vendi të kthehet në rritje dhe të qëndrojë në eurozonë.”
Ai tha se një zgjidhje “do të bazohet në rregullat dhe demokracinë e BE-së.” Zoti Tsipras po merr pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg të Rusisë. Ndërkohë, Presidenti francez François Hollande, duke folur me gazetarët në Bratislavë pas një takimi me homologun e tij sllovak, tha se Greqia dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë duhet të vazhdojnë bisedimet për të arritur një kompromis të bazuar në rregullat evropiane.
François Hollande President i Francës
“Ne duhet të shfrytëzojmë kohën deri në takimin e së hënës, për të përgatitur çdo gjë në mënyrë që negociatat të mund të rifillojnë për të arritur një zgjidhje kompromisi, por një kompromis të bazuar mbi rregullat evropiane,” tha zoti Hollande. Hollande njoftoi se ai do të takohet së shpejti me kancelaren gjermane Angela Merkel për të diskutuar mundësitë praktike lidhur me krizën financiare greke.
Sigal