Tahiri: Nuk ka afate kohore për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe

436
Çështja e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk lidhet me afate kohore, deklaron ministrja për Dialogun në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.
“Tani jemi duke diskutuar për parimet themelore mbi të cilat duhet të themelohet asociacioni. Për këtë ka pasur një përparim, por bisedimet do të vazhdojnë në takimet e radhës që janë më 24 gusht në nivelin teknik dhe më 25 gusht në nivelin e kryeministrave të ndërmjetësuar nga Mogerini. Se si do të shkojnë proceset kjo nuk mund të kufizohet me data e me afate”, tha Tahiri.
Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë në një komunikatë të përbashkët drejtuar qeverive në Prishtinë dhe Beograd kanë kërkuar që gjatë takimit të ardhshëm, në kuadër të dialogut politik në Bruksel, të arrijnë marrëveshjen për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Ministrja kosovare Tahiri ka thënë se, si do të shkojnë proceset kjo nuk mund të kufizohet me data e me afate.
Kosova dhe Serbia, në 25 gusht në Bruksel, në raundin e 28-të të nivelit të lartë kryeministror përsëri do kenë në tavolinë bisedimesh katër çështje të diskutuara edhe në dy raundet e kaluara: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodin telefonik, energjinë dhe urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Sigal