Sulmohet me granatë dore Ambasada franceze në Athinë

63

Dy persona ende të paidentifikuar kanë
sulmuar me lëndë shpërthyese Ambasadën franceze në Athinë, teksa dyshimet më të
mëdha janë se bëhet fjalë për një granatë dore.

Policia raportoi se dy agresorët po qarkullonin me një
motor në momentin kur ekzekutuan sulmin.

Ata janë shpallur në kërkim ndërkohë që ende nuk ka shumë
detaje për motivet e këtij sulmi. Megjithatë, në bazë të të dhënave paraprake,
dyshimet më të mëdha janë për një akt terrorist.

Fatmirësisht nga shëprthimi nuk ka patur persona të
plagosur apo të lënduar rëndë.

Autoritetet thanë se vetëm një nga rojat e sigurisë mori
një plagë të lehtë dhe se u dërgua menjëherë në spital për të marrë trajtimin e
nevojshëm shëndetësor.

Sulmi shkaktoi edhe dëme të lehta mbi godinën e
Ambasadës, por fatmirësisht gjithçka u mbyll me pasoja të lehta. Ndërkohë, dy
personat janë vënë në kërkim teksa është kërkuar edhe ndihma e qytetarave për
identifikimin dhe arrestimin e tyre.

Sulmi është parë si një kërcënim që mund të
përshkallëzohet gjatë ditëve në vijim, ndaj për këtë arsye, në afërsi të
Ambasadës është vënë re një prezencë e shtuar ndjeshëm e forcave të sigurisë.

Aktualisht në Athinë ka patur masa të shtuara pasi
autoritetet po përgatiten për të pritur Presidentin në ikje të Shteteve të
Bashkuara, Barak Obama, i cili do të vizitojë kryeqytetin grek përgjatë datave
15 dhe 16 nëntor.

Ndërkohë, Franca ka qenë një prej vendeve më të goditura
nga aktet terroriste ku mund të përmendim tragjeditë e Parisit dhe të Nices,
ndaj sulmi i Ambasadës franceze në Athinë po analizohet me kujdes.

Zyrtarët nënvizojnë se do të publikojnë një raport të
plotë për ngjarjen gjatë orëve në vijim. /Oranews/