Sulmi në Nju Jork, Trump: Politikë e ashpër emigracioni

Pas sulmit në Nju Jork që sipas autoriteteve kishte si autor një emigrant nga Bangladeshi , presidenti amerikan Donald Trump i kërkon Kongresit të reformojë ligjet për emigracionin, siç thotë për mbrojtjen e popullit amerikan.

“Amerika duhet të korrigjojë sistemin e çalë të emigracionit, i cili i lejon personave të rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”, tha Trump.

Në veçanti kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkon t’i jepet fund zinxhirit migrues që lejon hyrjen në SHBA falë lidhjeve familjare. Pasi kujtoi urdhërin që kufizon udhëtimet nga 8 vende me shumicë myslimane, Trump i bëri gjithashtu thirrje parlamentarëve të veprojnë mbi propozimet e tjera të administratës së tij për të fuqizuar sigurinë e brendshme, përfshirë rritjen e numrit të oficerëve për emigracionin…Për udhëheqësin amerikan terroristët meritojnë dënimin me vdekje.

“Ata që dënohen për përfshirje në akte terroriste meritojnë dënimet më të rënda të parashikuara nga ligji, përfshirë dënimin me vdekje. Amerika duhet të qëndrojë e vendosur kundër terrorizmit dhe ekstremizmit duke garantuar që institucionet të përballojnë të gjitha aktet mizore”, vijon Trump.

I dyshuari Akayed Ullah, 27 vjeç, erdhi në SHBA nga Bangladeshi në vitin 2011 përmes bashkimit familjar. Sipas autoriteteve ai është qytetar i ligjshëm dhe ka të ashtuquajturen ‘green card’. Zëdhënësja e Shtepise së Bardhë, Sarah Sanders nxitoi të theksonte se Ullah nuk do të kishte qenë në SHBA nëse politika e Trumpit për emigracionin do të ishte implementuar.