Sulmi në Mançester, deri tani 13 të arrestuar

52
Autoritetet britanike po përpiqen të ndjekin rrjetin që ata besojnë se është pas sulmit në Mançester, teksa rezulton se kamikazi, Salman Abedi, ka biseduar me vëllain e tij në Libi, 15 minuta përpara se të kryente sulmin.

Hetuesit po punojnë për të gjetur bashkëpuntorët e 22-vjeçarit Abedi, mes shqetësimeve se ai është pjesë e një rrjeti që ka planifikuar kaos të mëtejshëm. Një person u arrestua të premten, i ndjekur nga dy të tjerë në orët e para të së shtunës. Kjo e ka çuar në 13 numrin e personave të arrestuar në këtë hetim, ndërkohë që 11 janë në paraburgim. Deri më tani, 2 persona janë lënë të lirë pa u akuzuar, sipas policisë së Mançesterit.

Vëllai më i vogël i kamikazit, Hashim Abedi, i ndaluar në Libi pas shpërthimit, kishte dijeni për lëvizjet e vëllait të tij, gjë të cilën ai e ka mohuar para hetuesve libianë. Më herët gjatë kësaj jave, milicia përgjegjëse për ndalimin e Hashim Abedit, u shpreh se të dy vëllezërit ishin pjesë e Shtetit Islamik. Me gjasa, Salman ishte stërvitur nga ISIS duke udhëtuar në Siri, muaj para sulmit që i mori jetën 22 personave, shumica prej të cilëve fëmijë.

Nga samiti i G7, kryeministrja britanike Theresa May, është shprehur se kërcënimi nga Shteti Islamik ende nuk po zhduket.

“Teksa ata humbasin territor në Irak dhe Siri, luftëtarët e huaj po kthehen dhe ideologjia plot urrejtje e grupit po shpërndahet online,”-u shpreh May, duke shtuar se lufta tashmë është zhvendosur nga fushëbeteja tek interneti.

Kryeministrja mori mbështetjen nga anëtarët e tjerë të G7, për të nxitur kompanitë teknologjike të zhvillojnë aftësi për të identifikuar materialet ekstremiste dhe për t’i raportuar të tilla përmbajtje tek autoritetet.