Sulmi në Francë, ku humbën jetën 86 persona, dy prej të arrestuarve me origjinë shqiptarë

57

Edhe tre persona të tjerë janë arrestuar nga drejtësia franceze në lidhje me armatosjen e terroristit që shkaktoi vdekjen e 86 personave me anë të një kamioni në Nisë të Francës.

Një burim gjyqësor tha të shtunën (17 dhjetor), se tre personat ishin në grupin e 11 të arrestuarve të hënën në Nisë dhe në qytetin e Nantes.

Vendimi i marrë të premten nga gjykata ka lënë në burg tre prej tyre. Mediat franceze bëjnë me dije dy prej të arrestuarve janë me origjinë nga Shqipëria, ndërsa i treti është nga Tunizia. Të arrestuarit tashmë me vendim gjykate janë të moshës 24, 31 dhe 36-vjeç, raportojnë mediat vendase.

Ata akuzohen se kanë ndihmuar në pajisjen me armë të ekstremistit tunizian Mohamed Lahouaiej Bouhlel, i cili me anë të një kamioni hyri mes një turme njerëzit gjatë një feste më 14 korrik duke të plagosur rreth 400 persona përveç viktimave.

Gjashtë persona janë tashmë nën akuzë, përfshirë edhe çiftin shqiptar Artan Henaj dhe Enkelejda Zaçe si dhe një tuniziano-franceze, Ramzi Arefa, 21 vjeçare, të dyshuar se i kanë siguruar një pistoletë autorit të masakrës që u vra nga policia. Mediat franceze shkruajnë gjithashtu se 24 vjeçari i arrestuar ka lindur në Shqipëri, ndërsa një tjetër është kushëri i Henajt.

Të arrestuarit u transferuan në Paris në mesjavë. Ata akuzohen për përfshirje në transaksione të paligjshme si dhe në për shkelje të ligjit të armëve.

Hetuesit thonë se sulmi ka të bëjë “me një kombinim të radikalizmit, magjepsjes për dhunë ekstreme si dhe një sfond i probleme psikologjike”.

Sulmi ndodhi kur qindra e mijëra francezë kishin dalë në rrugë për të festuar festën e pavarësisë.