Sulmet ushtarake në Siri, ja qëllimi i Turqisë. Priten tensione me SHBA

765
Avionët luftarakë turq kanë filluar sulmet ajrore mbi militantët kurdë në Sirinë veriore, një lëvizje që mund të shkaktojë tensione me SHBA, shkruan BBC.
Turqia po përpiqet të largojë kurdët, të cilët i quan terroristë, nga rajoni Afrin që shtrihet përgjatë kufirit të saj perëndimor. Siria dënoi ashpër sulmet ajrore të Turqisë duke i cilësuar si agresion dhe sulme brutale. Ndërkohë Rusia ka lëvizur trupat e saj larg Afrin duke shprehur shqetësim për lëvizjen nga ana e Turqisë por ndërkohë nuk do të ndërhyjë
Ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se Turqia ka njoftuar të gjithë palët e përfshira, përfshi edhe qeverinë siriane, rreth sulmeve ajrore, gjë që Siria e mohon.

Të shtunën ushtria turke njoftoi se një fushatë e re ajrore dhe tokësore kishte filluar në mesditë kundër kurdëve të YPG-së, (Njësitet e Mbrojtjes Popullore të sirianëve kurdë) dhe xhihadistëve të Shtetit Islamik. Sipas njoftimit, operacioni do kryhej duke respektuar integritetin territoria të Sirisë
Rebelët pro-turk, të njohur si Ushtria e Lirë Siriane, gjithashtu filluan të lëvizin drejt rajonit Afrin të shtunën.
Një zëdhënës për YPG-në tha për mediat se një numër personash ishin plagosur gjatë sulmeve ajrore mbi qytetin Afrin dhe fshatrat rreth tij, megjithatë numri i saktë nuk është bërë i ditur.
Disa grupe kurde janë aleatë të SHBA-së kundër grupit Shteti Islamik.
Të shtunën Forcat Demokratike Siriane (SDF) dhe Njësitet e Mbrojtjes Popullore të sirianëve kurdë (YPG) akuzuan Turqinë se po përdor bombardimin si pretekst para se të fillojë ofensivën.
Luftëtarët kurdë të YPG-së, të mbështetur nga SHBA, kanë qenë një pjesë kyçe e betejës kundër ISIS në Siri.
Turqia megjithatë mendon se grupi ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit dhe prej shumë muajsh ka kërcënuar se do spastrojë luftëtarët kurdë nga Afrini dhe nga qyteti Manbij, që shtrihet 100 km larg.
Planet ushtarke të Turqisë duket sikur janë përshpejtuar nga njoftimi i SHBA-së se do ndihmojë aleancën SDF për të ndërtuar një ‘force sigurie kufiri’ për të parandaluar kthimin e ISIS.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan reagoi menjeherë pas njoftimit duke e quajtur forcën ‘një ushtri terrori’.
Departamenti i Shtetit amerikan ka bërë thirrje për qetësi ndërsa Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se është e shqetësuar nga lajmet për ofensivën nga ana e Turqisë.
Turqia ndërkohë po përpiqet për një marrëveshje me Rusinë për të përdorur hapësirën ajrore të kontrolluar nga rusët për sulmet ajrore mbi Afrin. Një marrëveshje e tillë shihet si shumë e rëndësishme për çdo operacion nga ana e Turqisë.
Sigal