Sulmet terroriste në Europë, IS vrau 312 persona

434
Plot 312 persona humbën jetën si pasojë e sulmeve terroriste në të gjithe Europën që prej janarit të 2015 në maj të 2017.

Janë goditur kryeqendra të Europës, si Parisi, Londra, Brukseli e Berlini, thuajse në të njëjtën mënyrë, duke shkaktuar tragjedi dhe frikën se çdo gjë mund të ndodhë kudo.

Ideja se askush nuk është imun lindi pas përsëritjes së sulmeve dhe pas ndryshimit e sofistikimit të mënyrave, ku të gjithë ishin konfuzë pasi çdo ngjarje rrëzonte skenarin e parardhëses.

Më 8 janar 2015, Europa dhe Franca morën tronditjen e parë , kur 17 persona humbën jeten si pasojë e të shtënave në revistën satirike Sharli Hebdo dhe në supermarketin e hebrenjve ne periferi të Parisit.

Më 15 shkurt të 2015 dy persona humbën jetën në Kopenhagen si pasojë e një sulmi me armë. Do të kalonin pak muaj, dhe Parisi do të tronditej sërish. Kësaj radhë 130 persona humbën jetën si pasojë e shpërthimeve dhe të shtënave në Teatrin Bataklan dhe në afërsi të Stade de Francë.

Në tre muajt e parë të 2016 Europa do të shokohej sërish, kësaj radhe epiqendra ishte Brukseli. 32 të pafajshëm humbën jetën si pasojë e shpërthimeve në aeroportin Zavanten dhe në metronë e kryeqyetit të Belgjikës.

Franca do të goditej sërish më 14 korrik të 2016. Në Nicë një kamion do të hynte ne mesin e turmës së mbledhur në një zonë pedonale për të ndjekur festivalin e fishekzjarreve. 84 persona humbën jetën.

Më 19 dhjetor të 2016 thuajse njësoj si në Nicë, 15 persona u shtypën në Berlin me kamion në një treg të populluar krishtlindjesh.

Edhe 2017 do të niste me sulme në Europë. Më 22 mars të këtij viti një makinë do të përplaste për vdekje 5 persona në urën Westministrer në afërsi të godinës parlamentare në Londër.

Vetëm pas dy javësh në Stokholm do të humbisnin jetën 5 të tjerë. Sërish një kamion hyri në mesin e turmës në një zonë të polulluar të kryeqyettit suedez. Përfshirë sulmin e fundit në Manceshter me 22 viktima, të gjitha ngjarjet janë marrë përsipër nga shteti islamik, edhe pse ka pasur raste që autorët kanë vepruar të vetëm me idetë e tyre të radikalizuara.
Sigal