Sulmet në Paris/ Obama vendos lule ne Bataklan

414
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama ka vizituar teatrin e Bataclanit, menjëherë pas mbërritjes në Paris, ku do të marrë pjesë në samitin global mbi ndryshimet klimatike.
I shoqëruar nga presidenti francez Francois Hollande dhe Kryetari i Bashkisë së Parisit Anne Hidalgo, Obama vuri një trëndafil të bardhë, në vendin ku humbën ku 90 persona nga sulmet terroriste të 13 nëntorit.
Autokolona e zotit Obama shkoi direkt në Bataclan menjëherë pasi presidenti amerikan mbërriti në aeroportin Orly. Pas vendosjes së trëndafilit, Obama qëndroi në heshtje teksa u përul në shenjë respekti ndaj viktimave. 
Afro 150 udhëheqës botërorë do të jenë sot në Paris, nën masa tepër të rrepta sigurie, për të zhvilluar takime në kuadrin e samitit të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.
COP21 është konferenca globale për Ndryshimet Klimatike, e cila nis punimet këtë të hënë në Paris. Më shumë se 190 kombe do të bëhen bashkë për të diskutuar mbi një marrëveshje të mundshme globale, e cila synon të reduktojë emetimin e gazrave serë në atmosferë, duke shmangur kërcënimin që vjen nga ngrohja globale.
Gjatë kësaj, konference, punimet e së cilës do të drejtohen nga Franca priten të merren një sërë vendimesh të rëndësishme mbi ndryshimet kilmatike. Sipas BBC-së, vendet më të varfra të botës, janë të frikësuar se mund të “harrohen”, nga nxitimi për të arritur një marrëveshje.
Nën një plan të quajtur “Misioni inovativ”, një grup prej 20 vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Franca dhe India, do të kërkojnë të dyfishojnë investimet e tyre për çështjet e energjisë së pastër gjatë 5 viteve.
Po ashtu, pjesë e këtij plani mendohet se do të jenë edhe disa sipërmarrës botërorë, si Bill gates dhe themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg. 
Sigal