Sulmet në Bengazi të Libisë, Clinton: Mora përgjegjësinë

444
Ish sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dëshmoi para një komisioni të posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton rreth sulmit vdekjeprurës të vitit 2012 ndaj ambasadës amerikane në Bengazi të Libisë.
Nën një mori akuzash se komisioni u ngrit me motive politike, kryetari i tij Trey Gowdy bëri një prezantim të gjatë lidhur me nevojën për ekzistencën e këtij komisioni dhe si dallon ai nga komisionet e mëparshme.
Anëtari demokrat i komisionit, kongresmeni Elijah Cummings në komentet e tij e kritikoi punën e komisionit, duke thënë se ishte shpërdorim i parave të taksapaguesve, duke përmendur se i njëjti informacion është analizuar edhe nga komisione të tjera.
Clinton e hapi fjalën e saj duke vlerësuar jetën dhe kontributin e katër amerikanëve që humbën jetën gjatë sulmit dhe duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar komisionin të hidhte dritë mbi faktorët që çuan në këtë incident.
Clinton-it iu drejtuan pyejte lidhur me rolin e saj para dhe pas sulmit të 11 shtatorit ndaj kompleksit të ambasadës që solli vdekjen e ambasadorit Christopher Stevens dhe tre amerikanëve të tjerë, kur ajo ishte diplomatja më e lartë e vendit.
Dëshmia e saj vjen ndërkohë që janë shtuar kritikat se republikanët e Kongresit po e përdorin çështjen Bengazi për të dëmtuar fushatën e Clinton për zgjedhjet presidenciale të 2016.
Komisioni Bengazi u krijua në maj 2014, pas shtatë hetimeve të mëparshme të Kongresit. Demokratët kanë bërë thirrje që komisioni të shpërndahet, duke e quajtur atë një shpenzim të kotë të parave të taksapaguesve. 
Sigal