Sulmet e Parisit, gjendje emergjence deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

484
Sigal

Gjendja e emergjencës në Francë, e vendosur që prej sulmeve terroriste të vitit të kaluar në Paris, pritet të zgjatet edhe më tej, siç është shprehur për “BBC”-në kryeministri Manuel Valls. Ai i justifikon këto masa me nevojën për të “mbrojtur demokracinë tonë”.

Valls ka folur në përvjetorin e parë të sulmeve të ndërmarra nga militantë islamikë, pas të cilave mbetën të vdekur 130 persona. Presidenti François Hollande e ka përkujtuar përvjetorin e parë të sulmeve të Parisit duke zbuluar pllakatat përkujtimore të viktimave.

Duke nisur nga “Stade de France” e deri në sallën e koncerteve “Bataclan”, Hollande dhe kryebashkiakja e Parisit pritet të vizitojnë të gjashtë vendet që ishin objektiva të sulmeve, duke nderuar viktimat.

Të shtunën, në prag të përvjetorit të masakrës, “Bataclan”-i u rihap me një performancë të artistit britanik Sting. Këngëtari i tha audiencës së pranishme, mes të cilëve edhe të mbijetuar të sulmeve, se duhet të nderojnë të vdekurit dhe të festojnë për të qenit ende gjallë.

Një minutë heshtje është mbajtur edhe në sheshin e rikonstruktuar enkas për viktimat e sulmeve në kryeqytetin francez, nga xhihadistët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Më 13 nëntor të vitit 2015, një grup xhihadistësh nisën sulme të koordinuara në “Stade de France” dhe në restorantet e mbushura me shumë njerëz, pikërisht mbrëmjen e asaj të premteje. Salla e “Bataclan”-it ishte edhe skena më e përgjakur e atyre sulmeve, pasi 3 agresorë të armatosur hynë në të dhe qëlluan ndaj turmës së pranishme në një tjetër koncert, duke vrarë 90 prej tyre.

Të shtunën, në një intervistë për “BBC”, Valls tha se gjendja e emergjencës do të shtyhej edhe më tej, sepse ka ende rrezik “për sulme të ngjashme me ato që kemi parë në Nice”. Gjendja e emergjencës në Francë është shtyrë me 6 muaj që prej korrikut, kur një drejtues kamioni shtypi një turmë njerëzish që festonin “Ditën e Bastijes” në Nice, duke vrarë 84 vetë.

Masat e marra gjatë kësaj gjendjeje i lejojnë policisë fuqi të shtuara për të zhvilluar kërkime dhe për të arrestuar persona, qoftë edhe në arrest shtëpie. Gjithsesi, një hetim zyrtar zbuloi se gjendja e emergjencës ka vetëm një “ndikim të kufizuar” në përmirësimin e sigurisë.

Por kryeministri Valls ka thënë se vendi duhet të qëndrojë i sigurtë gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare, të cilat priten të zhvillohen në Francë mes prillit dhe qershorit të vitit të ardhshëm.