Sulme kibernetike kundër Ukrainës

495
Që prej fillimit të luftës në Lindje të vendit, Ukraina i është nënshtruar një vale sulmesh kibernetike. Hapësira kibernetike e Ukrainës është kthyer vërtet në një zonë testi, thotë një ekspert ukrainas.
Stacioni i kthimit të voltazhit Pivniçna pranë Kievit. Ishte një fundjavë dhjetori, kur shërbimin atje e kishte inxhinjeri Zaiçenko. Ekranet para tij nuk tregonin asgjë të pazakontë. Oleg Zaiçenko kujton se po afrohej nata. “Ra alarmi. Impianti 330 kilovolt papritur u shua, edhe impianti 110 kilovolt. Por sistemi nuk tregonte rast emergjent. Unë nuk kisha kohë për të pasur frikë. M’u desh të veproja shumë shpejt”.
Sistemet ndërprenë punën. Diçka po ndodhte – po çfarë? Zaiçenko e kuptoi se e gjitha kjo nuk ishte normale. Por në fillim nuk e kuptoi që qe bllokuar i gjithë stacioni. Fillimisht u drodh drita. Pastaj pjesë të Kievit, të kryeqytetit të Ukrainës u mbuluan nga errësira. Sulmuesi ishte përgatitur mirë. Ai kishte muaj që rrinte i fshehur në dhomën e kontrollit të furnizuesit kombëtar të energjisë. Një virus në rrjet. I aktivizuar nga larg. “Ishte një sulm i qëllimshëm”, tregon Wsewolod Kowaltschuk, nga furnizuesi shtetëror i energjisë, Ukrenergo. “I organizuar nga një numër i madh njerëzish të përgatitur profesionalisht. Dhe këtu kjo kthehet në një metodë ushtarake të çorientimit. Një metodë për të shkaktuar dëm teknik, ekonomik dhe social.”

Sulme të përsëritura
Saktësisht një vit më parë, i njëjti depërtues pati sulmuar njëherë. Në Ukrainën Perëndimore. Për shumë orë, më shumë se 200.000 familje u shkëputën nga furnizimi me energji. Kush ishte sulmuesi? Ekspertë të TI në të gjithë botën kanë kohë që e vëzhgojnë. Ai përbëhet nga një ekip, ai duhet të ketë burime të mëdha financiare. Cili është objektivi i tij?
Oleksiy Jasinski nga ISSP IT Security Company: “Besojmë se me këtë duan të demonstrojnë para porosidhënësve se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Dhe: duan të stërviten, të testojnë diçka. Hapësira kibernetike e Ukrainës është kthyer vërtet në një zonë testi.””
Që prej vitit 2014, që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë – ka pasur disa valë sulmi. Depërtuesit hynë në software-n e hekurudhave ukrainase. Sistemi i biletave u bllokua, mallrat nuk qe e mundur të regjistrohen.
Edhe në kompjuterat e aeroportit më të madh të Kievit u gjetën viruse. Stacionet televizive njoftuan për difekte: si herët e tjera, edhe këtu sulmuesit u dërguan emaile të infektuara punonjësve – dhe hynë pas kësaj në sistem. Në dhjetor 2016, papritur Arka Shtetërore e Ukrainës nuk ishte më në gjendje që të transferonte para. “Po ta kishin arritur synimin e tyre kriminelët, atëherë në fund të vitit buxhetor të gjitha pagesat, të gjitha shërbimet sociale do të qenë bllokuar – kjo do të kishte shkaktuar trazira sociale dhe incidente shumë negative këtu në vend”, është i bindur Valentin Petrov, nga Këshilli Nacional i Sigurisë dhe i Mbrojtjes së Ukrainës.

Gjurmët të çojnë në Rusi
Këshilli i Sigurisë i Ukrainës është i bindur se gjurma çon me shumë gjasa në Rusi. Forcat kibernetike atje operojnë krahas forcave tokësore të ushtrisë, marinës dhe aviacionit luftarak. Valentin Petrov mendon se me këtë mënyrë veprimi:”…Rusia i tregon Perëndimit dhe NATO-s se i ka aftësi të tilla. Në Ukrainë ne shohim përdorimin e parë të një arme kibernetike në Evropë, sulmin e parë kibernetik ndaj infrastrukturës civile.””
Maj 2014. Një grup piratësh interneti prorus, i quajtur Cyberberkut depërton në kompjuterin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Ukrainë.Ai shpërndan lajmin e gabuar që nuk është Poroshenko ai që e ka shumicën e votave. Por kandidati i nacionalistëve të djathtë, Dmitry Yarosh. Televizioni shtetëror rus i transmeton këto Fake News. Cyberberkut merr më vonë përgjegjësinë edhe për një sulm ndaj faqes së internetit të Bundestagut Gjerman dhe ndaj Zyrës së Kancelares.
Në kompjuterat e Ukrainës gjenden të dhëna të pafundme për depërtues rusë dhe prorusë, raportojnë firmat ndërkombëtare të sigurisë. Në nëntokën e rrjetit ka kohë që ka shpërthyer një luftë – paralelisht me luftën konvencionale. Ne takojmë piratët e internetit me pseudonimet Sean dhe Jeff. Për vite të tëra, piratët e internetit nga Ukraina dhe Rusia ishin pjesë e një bande të përbashkët të fuqishme kibernetike. Pastaj erdhi lufta. Sean dhe Jeff sulmojnë që atëherë Rusinë. Nganjëherë ata e njohin personalisht armikun.
Grupi i tyre depërtoi në serverin e Dumës Ruse. Atje mori dokumente sekrete, se si Kisha Ruse-Ortodokse e nxit luftën në Ukrainën Lindore. Dhe publikoi emailet e një këshilltari të Putinit. “Jeff”, nga grupi i piratëve të internetit “Aleanca Kibernetike Ukrainase” tregon për një nga sukseset e mëdha. “Na ra në duar një listë shpenzimesh. Ajo tregon se si aktorë të ndryshëm, midis tyre Kisha Ortodokse Ruse, financojnë operacione në Ukrainën Lindore. Shuma ekzakte, plane precize, të gjithë përgjegjësit.””
Depërtim, vlerësim, kombinim. Piratët e internetit dhe hetuesit analizojnë burime sekrete dhe publike. Për shembull, se cilat brigada dhe cilat aparatura të Ushtrisë Ruse janë stacionuar në Ukrainën Lindore. “Sean” thotë se u kanë “rënë në dorë kërkesa të separatistëve, që kërkojnë pamje satelitore nga Ushtria Ruse ose kërkojnë drona ruse.” NATO-ja dhe qeveria e Ukrainës ndërkohë po i shqyrtojnë kërkimet e Seanit, të Jeffit dhe të shokëve të tyre. Lufta e tyre kibernetike – një luftë si e Davidit kundër Goliatit, thonë ata. Armiku i tyre ka mjete të mëdha financiare, një ushtri gjigande piratësh interneti dhe: ai e zotëron shkëlqyeshëm punën e tij.
Sigal