Sulm terrorist në Francë, kamioni hyri mes turmës në Nice, 84 të vdekur

59
Festa kombëtare e Francës u mbyll tragjikisht. Një kamion hyri përmes turmës në qytetin jugor të Nices duke vrarë të paktën 84 vetë dhe duke lënë dhjetëra të plagosur. Incidenti ndodhi në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarre e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës.
Prefekti i zonës, Sebastien Humbert, tha për televizionin shtetëror francez se shoferi i kamionit u ekzekutua nga policia pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri. 
Ndërsa kreu i Këshillit të Qarkut, Christian Estrosi, e cilësoi si një sulm dhe autoritetet i kërkuan banorëve të zonës të qëndronin në shtëpi dhe të mos bënin lëvizje nëpër rrugë përveç forcave policore.
Momentin e sulmit dëshmitaret e përshkruan si një moment paniku. “‘Vraponi, vraponi është një sulm’, kjo ishte e vetmja fjalë që dëgjohej”, tha një grua nga vendngjarja për televizionin francez. “Ka shumë gjak nëpër rrugë -tha një tjetër dëshmitare- e vetmja gjë që shohim janë njerëz të dëmtuar rëndë e të shtrirë për toke”.
Imazhet e rënda janë përhapur me shpejtësi nëpër rrjete sociale. Thuajse e gjithë Nice është blinduar nga forca të shumta sigurie për t’i garantuar qetësi banorëve të zonës. Ndërkohë që spitalet e qytetit jugor kanë hapur dyert për personat e plagosur.
Në çdo 14 korrik, Franca kremton me një paradë simbolike dhe unike festën e saj të pavarësisë, ku këtë vit i ftuar nderi ishte Sekretari i Shtetit, John Kerry. 
Pikërisht mesditën e së enjtes, Presidenti Hollande deklaroi se nuk ka më arsye që Franca të zgjasë gjendjen e emergjencës, pasi sipas tij, vendi i ka arritur kënaqshëm objektivat e terrorizmit.