Sulm misterioz me helikopter në Caracas, hedhin granata mbi Gjykatën Supreme

623
Një sulm i dyshuar me granatë në kryeqytetin e Venezuelës Caracas ka ngjallur mjaft spekulime. Presidenti Nicolas Maduro tha në televizionin shtetëror, se dy granata janë hedhur në Gjykatën Supreme, por vetëm njëra prej tyre ka shpërthyer. Pranë gjykatës gjendet edhe pallati presidencial. Maduro foli për një “grusht shteti dhe përpjekje terroriste”.
Presidenti njoftoi se ai ka aktivizuar të gjitha forcat e aramatosura “për të mbrojtur paqen”. Korrespondenti i DW-s në Caracas konfirmon se ka pasur një sulm me helikopter dhe poashtu janë dëgjuar edhe të shtëna.

Maduro kërcënon me përdorimin e armëve

Disa orë para sulmit, kreu i shtetit ka kërcënuar se do të marrë edhe masa luftarake për të mbrojtur projektin e tij socialist. “Nëse ne nuk do të kemi sukses me vota, suksesin do ta arrijmë me armë”, tha Maduro.

Që në fillim të muajit prill janë vrarë 77 persona gjatë trazirave dhe protestave që pothuajse janë të përditshme në Venezuela. Maduro planifikon që më 30 korrik të thërrasë Asamblenë për ndryshimin e Kushtetutës. Kundër këtij plani ka protesta masive. Sipas Maduros pas ndryshimeve të kushtetutës do të zgjidhen krizat dramatike në politikën e vendit dhe ato ekonomike.

Ne vitin 2016 prodhimi ekonomik ra rreth 18 për qind, rreth 95 për qind e të ardhurave vijnë nga exporti i naftës. Çmimi i ulët i naftës e rëndoi edhe më shumë situatën. Venezuela ka inflacionin më të lartë në botë – shteti nuk ka valutë të huaj për të blerë ushqim të mjaftueshëm dhe ilaçe nga vendet e tjera.
Sigal