Sulm me armë në një qendër tregtare në Gjermani, të paktën 10 viktima

407
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në një qendër tregtare në Mynih të Gjermanisë pasditen e sotme. Mësohet se policia ka rrethuar zonën dhe mediat bëjnë të ditura se tre persona të armatosur kanë qëlluar në brendësi të qendrës tregtare të quajtur OEZ.
Ministria e Brendshme gjermane bën me dije se janë të paktën tre viktima, por sipas burimeve të policisë, të cituara nga mediat lokale, janë vrarë 6 persona. Gjithnjë sipas Ministrisë së Brendshme atentatorët janë tre. Sipas informacioneve të gazetës gjermane “Bild”, një nga agresorët e Mynihut është vetëvrarë në kokë me armën që mbante në qendrën tregtare ku ndodhi ngjarja.
Gjithçka ka filluar në një “fast food” pranë qendrës tregtare. Të shtënat e armëve dëgjohen qartë në një video amatoriale që është transmetuar nga televizionet e lajmeve gjermane, ku shihen njerëz që vrapojnë. Videoja shfaq qartësisht një njeri që deli qetë nga një “Mc Donald’s” me një pistoletë në dorë, duke qëlluar në mënyrë të papritur ndaj njerëzve. Nuk dihet akoma kush e ka publikuar videon në “Twitter”. Helikopterë të policisë po fluturojnë mbi zonë. Një zëdhënës i policisë, ka pohuar se “bëhet fjalë për diçka të madhe”. Arsyet e të shtënave me armë zjarri deri tani janë të paqarta.
Qendra tregtare ndodhet në një nga zonat më të populluara në Gjermani. Mediat lokale shkruajnë se atentatorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia ka bllokuar të gjitha daljet që të çojnë në zonën e qendrës tregtare bavareze. Forcat e sigurisë janë vënë në gatishmëri pas alarmit të shkaktuar nga një emigrant, i cili vetëm gjatë së hënës së kësaj jave vrau me thikë 5 persona në një tren në Bavari.
Sigal