“Kosova dhe Suedia kanë partneritet për një kohë të gjatë në reforma dhe zhvillim duke pasur fokus klimën dhe mjedisin, qeverisjen demokratike, reformën e administratës publike si dhe zhvillimin ekonomik. Pasi që Kosova është duke lëvizur më pranë BE-së, ne jemi fokusuar në reformat dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të promovohet zhvillimi socio-ekonomik. Në aspektin ekonomik, mbështetja bilaterale e Suedisë në Kosovë arrin në rreth 9 milionë euro në vit”, theksoi Modeer. Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka pritur sot në takim një delegacion të shtetit suedez, të kryesuar nga Sekretarja e Shtetit (zëvendësministre) për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ulrika Modeer.
Ilazi e ka njoftuar Modeer me punën dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sa i përket MSA-së ka thënë se është miratuar Programi kombëtar për zbatim të MSA-së, ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave ka theksuar se më 15 janar është dorëzuar inputi i fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave nga raporti i 18 dhjetorit 2015 i Komisionit Evorpian. “Tani jemi në pritje të realizohet vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, në mënyrë që të lëvizim tutje në këtë proces me rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministri Ilazi.