Stuhia sjell shira në Luiziana, pas largimit nga Teksasi i përmbytur

47
Stuhia e dobësuar Harvey solli sot shira të rrëmbyer në Luiziana, ndërkohë që është larguar nga Teksasi lindor, duke lënë aty përmbytje që ende përbëjnë rrezik për shkak të sasisë së madhe të ujit të mbetur.
Pas stuhisë që goditi rajonin për shumë ditë me radhë, meteorologët parashikojnë që sot në Luiziana sasia e reshjeve të jetë 10 deri 20 centimetra.
Stuhia po vazhdon të lëvizë në brendësi, në drejtim të shteteve Arkansa, Misisipi, Tenesi dhe Kentaki.
Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se edhe pse rreziku i reshjeve të tjera ka kaluar për qytetin e Hjustonit, përmbytjet katastrofike dhe kërcënuese për jetën e njerëzve do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Teksas si dhe në Luizianën jugperëndimore për pjesën e mbetur të javës.
Qyteti Bomont njoftoi sot se përmbytjet kanë nxjerrë nga përdorimi sistemin e furnizimit me ujë dhe se për të bërë riparimet duhet pritur deri sa të drenazhohet uji. Është e pamundur të parashikohet se sa mund të zgjasë kjo, thanë zyrtarët.
Në Hjuston, ku në disa zona ra deri në 130 centimetra shi, shërbimet për qytetarët kanë rifilluar. Fluturimet nga aeroporti i Hjustonit rifilluan të mërkurën.