Strategji kundër ISIS, ministrat e 20 vendeve mblidhen në Paris

492
Ministrat e 20 vendeve takohen në Paris për të diskutuar strategjinë kundër militantëve të Shtetit Islamik. Kryeministri iraken, Haider al-Abadi është pjesë e bisedimeve, por jo sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i cili pësoi një aksident me biçikletë, duke thyer këmbën. Takimi thirret pasi Shteti Islamik mori qytetin e Ramadit në Anbar, provincën më të madhe sunite të Irakut. Iraku ndërkaq, është bërë shumë i varur nga vullnetarët shiitë për të luftuar kryengritjen e militantëve, e kjo ka rritur frikën e përkeqësimit të tensioneve sektariane në vend. 
Ndërsa sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar nuk kanë mundur të kenë ndikimin e shpresuar, bisedimet po i rikthehen terrenit politik iraken. Roli i ri i luftëtarëve shiitë, të mbështetur nga Irani, në zonat sunite po shton fenomenin që Franca e ka cilësuar një situatë veçanërisht të brishtë. Ministrat diskutojnë zgjidhje afatgjatë politike në mënyrë që të ketë një zgjidhje edhe për krizën e Irakut, sipas ministrisë së Jashtme franceze. 
Takimi mbahet një ditë pasi të paktën 45 oficerë të policisë irakene humbën jetën nga sulmet kamikaze të militantëve të Shtetit Islamik. Burime mes zyrtarëve të lartë në Anbar i thanë BBC-së se detajet e fundit po shqyrtohen në planin për të nxjerrë Shtetin islamik nga Ramadi e sulmi do të nisë brenda disa ditësh. Takimi në Paris diskuton edhe për kërcënimet që vijnë për trashëgiminë kulturore në Irak, mbrojtjen e minoriteteve të persekutuara dhe krizën e refugjatë krijuar nga konflikti. Shteti Islamik tashmë ka shkatërruar disa vendndodhje historike në Irak që datojnë para Islamit dhe ekziston frika se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe me rrënojat e periudhës romake në Palmira.
Sigal