Statusi, Stefan Fyle: Liderët e BE-së pritet ta miratojnë përparimin e Shqipërisë

467
Sigal

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fyle, ka deklaruar se, beson që liderët e BE-së në qershor do ta miratojnë përparimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Duke folur në ceremoninë për dhjetë vjetorin pranimit në BE të disa vendeve të Europës Lindore dhe Qendrore, në vitin 2004, zoti Fyle ka theksuar se, beson se liderët e BE-së në qershor do ta miratojnë përparimin e Shqipërisë ne rrugën e saj drejt integrimit europian. “Jam optimist. Kemi punuar shumë ngushtë me autoritetet shqiptare dhe me drejtuesit e tjerë shtetërorë, duke përmbushur rekomandimet e fundit bërë nga ana e vendeve anëtare. Kemi punuar me vendet anëtare, duke u përgatitur për vendimin e qershorit nga ana e Këshillit të Bashkimit Europian. Ne aktualisht po flasim për përpilimin e raportit qe do tu prezantohet vendeve anëtare. Nuk do të zbuloj shumë, sidoqoftë mund të them se kemi fakte të mjaftueshme jo vetëm për të përsëritur, por në fakt për të përforcuar rekomandimin tonë për statusin kandidat, dhe shpresoj që vendet anëtare do ta pranojnë atë, duke u bazuar në sinjalet pozitive, duke marrë një vendim pozitiv në qershor për Shqipërinë”. Ai theksoi se pret mandat shumë të suksesshëm pesëvjeçar për komisionerin e ardhshëm, i cili është përgjegjës për pranimin e anëtarëve të rinj në Bashkimin Europian. Sipas tij, perspektivë evropiane presin edhe disa shtete në pjesën lindore të Europës, të cilat deri tani nuk kanë pasur mundësi për anëtarësim.