Spanjë, zgjidhet ngërçi. Mariano Rajoy betohet si kryeministër i vendit

453
Udhëheqësi konservator spanjoll, Mariano Rajoy është betuar si kryeministër i vendit këtë të hënë përpara Mbretit Felipe, pas më shumë se 10 muajsh ngërçi politik për shkak të mosformimit të një qeverie koalicioni pas dy raundesh zgjedhore.
Rajoy, kreu i Partisë Popullore, është rikthyer kështu në pushtet pas humbjes së shumicës absolute, por për çdo marrëveshje të re do të duhet të “firmosë” së bashku me partitë opozitare në mënyrë që të kalohen ligjet në një Parlament të fragmentarizuar dhe disi “armiqësor”.
Kryeministri i ri fitoi votëbesimin në Parlament, pasi siguroi shumicën e thjeshtë gjatë së shtunës, të mundësuar nga abstenimi i socialistëve, por gjithsesi do të duhet të qeverisë mes përhapjes së skandaleve për korrupsion që kanë përfshirë partinë e tij.
Me mijëra njerëz dolën në rrugët përreth Kongresit përpara votëbesimit, për të protestuar kundër Rajoyt dhe për akuzat për korrupsion e shpenzime të fryra që karakterizuan mandatin e tij të parë në pushtet.
“Do të jetë sërish e njëjta qeveri, ose diçka e ngjashme, si në 4 vitet e kaluara. Gjë që ka rezultuar fatkeqësi për Spanjën”, tha Carmen Lopez, një teknik kompjuterash i dalë në pension, për “Agence France-Presse”.
E megjithëse Partia Socialiste spanjolle (PSOE) vendosi të abstenojë në Parlament në votëbesimin që i dha fund ngërçit dhe riktheu në pushtet Rajoyn, ajo ka premtuar se do të luftojë qeverinë e pakicës në çdo hap të sajin.
Socialistët i thanë Rajoyt të shtunën se, ata kishin abstenuar për të mirën e vendit dhe jo për të “mbështetur reformat e tij të urryera, apo për të falur korrupsionin e gjerë që ka kapluar partinë e tij”.
“Nga sot e në vazhdim, ju nuk do të jeni më kryeministër në detyrë”, tha zëdhënësi i “PSOE”-s, Antonio Hernando. “Ju nuk keni më shumicën absolute që keni dashur dhe e keni pasur gjatë këtyre viteve. Ju jeni vetëm një pakicë e qartë dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të kujtdo në Kongres”.
Pavarësisht retorikës, socialistët mbeten gjithsesi të përçarë mes tyre dhe nën drejtimin e një udhëheqësi të përkohshëm, pasi Pedro Sanchez u largua nga partia në fillim të tetorit për shkak të refuzimit për të abstenuar.
Por, pavarësisht se i mungon shumica, Rajoy ka ende pushtetin për të kërcënuar me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në të cilat “PSOE” do të humbiste edhe më tej terren në koalicionin kundër masave shtrënguese me “Unidos Podemos”, synimi i të cilëve është të kthehen në forcën kryesore të të majtës spanjolle.
Sigal