Sigal

Temperaturat në Spanjë dhe Portugali mund të kapërcejnë këtë javë 48 gradë Celsius, duke thyer kështu rekordin e të gjitha kohërave për Europën.

Pushuesit në Europën jugore janë paralajmëruar të marrin masa për shkak të motit ekstrem, ndërsa temperaturat pritet të kapërcejnë të 40 gradët, duke filluar nga e premtja.

Rajoni iberik i Spanjës dhe Algarve në Portugali mund të goditen, sipas ekspertëve, nga temperaturat më të nxehta në 41 vitet e fundit.

Temperatura përvëluese do të regjistrohen edhe në Francën jugperëndimore. Temperatura më e lartë rekord për Europën është 48 gradë Celsius, e regjistruar në kryeqytetin grek, Athinë, në korrik të vitit 1977.

Ekspertët paralajmërojnë tashmë se, presioni i lartë që vjen nga Afrika e Veriut do të bëjë që ky rekord të përsëritet ose të thyhet. Temperatura rekord në Spanjë është 47.3 gradë Celsius, ndërsa në Portugali 47.4 gradë, por temperatura të tilla, sipas parashikuesve të motit, këtë javë mund të kapërcehen.

Udhëtarët më të rrezikuar, të moshuarit dhe të miturit, këshillohen të mos dalin në diell, ndërsa grupmoshat e tjera këshillohen të përdorin krem dielli me faktor të lartë mbrojtës dhe të qëndrojnë të hidratuar.

I nxehti përvëlues mund të shkaktojë edhe në Spanjë apo Portugali, zjarre të pakontrollueshme si ato që përfshinë Greqinë javën e shkuar, duke i marrë jetën të paktën 92 personave. Por, këtij trendi të Europës nuk i shpëton edhe pjesa tjetër e hemisferës veriore. Muajin e kaluar u thyen disa rekorde temperaturash të larta në Britani, Gjeorgji, Armeni apo edhe në SHBA.