Sourlas: Shqipëria ta harrojë BE, pa zhvarrosur ushtarët grekë të rënë në “Epirin e Veriut”

451
Ish-zëvendëskryetari i Parlamentit grek, George Sourlas, ka deklaruar sot se Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, pa u zhvarrosur 423 ushtarët grekë të vrarë në vitin 1940 në “Epirin e Veriut”. Këtë deklaratë, Sourlas e ka bërë gjatë një ceremonie të organizuar nga bashkia e Kalamata, duke shtuar se nuk ka më vend për durim dhe tolerancë nga të afërmit e të rënëve. Gjithashtu, ai ka thënë se Greqia duhet t’i kërkojë Shqipërisë që të respektojë marrëveshjen e arritur mes parlamenteve të dy vendeve për këtë çështje. 

 “Ne nuk kemi kërkuar as tokë dhe as para nga Shqipëria. Së fundmi, kanë shembur dhe një kishë, dhe në Himarë nuk ka më një shkollë greke. Shqipëria duhet të përmbushë marrëveshjen e vitit 2010, nëse do që të bëhet pjesë e BE. Duhet të respektojë të drejtat e njeriut, të diktuara nga traktatet ndërkombëtare. Për ta bërë më të qartë, Shqipëria nuk mund të hyjë në BE pa përmbushjen e kësaj çështjeje”, ka deklaruar deputeti grek. Ndërkohë, ai ka shtuar se pala shqiptare “duhet të respektojë atë që është arritur dhe të kuptojë se nuk kanë vend në Bashkimin Evropian, ka ushtarë të pa varrosur, të atyre që ranë për liri dhe ideale njerëzore”.
Sigal