Sot vendoset për fatin e Bllokut Mustafa s’heq dorë nga Kryeministri

52

PRISHTINË – Sot do të merret vendimi i shumëpritur i Këshillit organizativ të Lidhjes Demokratike të Kosovës për fatin e Bllokut opozitar që për 5 muaj qëndroi bashkë. Edhe sot, lideri Isa Mustafa, nëpërmjet një postimi në Facebook bëri me dije se LDK do të ofrojë rolin e saj prijës në qeverisjen e vendit.
 
“LDK respekton dhe vlerëson lart partnerët e koalicionit paszgjedhor dhe mbetet e përkushtuar që në harmoni me rrethanat e reja të krijuara dhe kriteret për mandatimin e institucioneve të vendit, të gjejë zgjidhje e cila është në interes të këtij partneriteti dhe për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale”, ka shkruar Mustafa.
 
Por ky vendim nuk është pëlqyer aspak nga Aleanca për Ardhëmrinë e Kosovës e Ramush Haradinaj. Ndërsa LDK ka përjashtuar një koalicion me PDK-në e Thaçit, është AAK, ajo që po e bën një gjë të tillë.
 
Mediat kosovare bëjnë të ditur se një ditë më parë ka patur takime të fshehta midis zyrtarëve të AAK-së dhe PDK-së.
 
Ndërkaq, kjo e fundit është në pritje të vendimit përfundimtar për Bllokun, para se të vendosë nëpërmjet kryesueses, Flora Brovina të thërrasë vijimin e senacës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.