Sot, tjetër test për Tsipras, sondazhet e nxjerrin më popullor se kurrë

471
Dje, një ditë para votimit të paketës së dytë të masave të rëna dakord me kreditorët, kryeministri grek, Aleksis Tsipras, është takuar veçmas me ministrin e Brendshëm, Nikos Vutsis, ndoshta aleatin më të ngushtë në qeveri që pas prishjes së marrëdhënieve me ish-ministrin e financave Janis Varufakis.
Sot në parlament votohet për ndryshimin e kodit të procedurës civile, që do të përshpejtojë gjykimin e çështjeve të ndryshme, si dhe për njehësimin e legjislacionit bankar grek me atë europian, që i jep më shumë mundësi shtetit të ndërhyjë te bankat e nivelit të dytë në rast se ato kanë probleme ose janë në prag falimentimi.

Edhe pse nën drejtimin e Tsipras, Greqia është rikthyer në reçesion dhe ishte në prag të kolapsit financiar, çka e detyroi kryeministrin t’i nënshtrohej kërkesave asfiksuese të kreditorëve, sipas një sondazhi të realizuar nga mediat vendase, ai gëzon mbështetjen e 60% të elektoratit, ndërsa Syriza do të fitonte pa pengesa zgjedhjet e mundshme të parakohëshme.

Ndoshta për këtë arsye, liderët e partive opozitare greke duket se nuk kanë ndërmend të rrëzojnë qeverinë në parlament, por janë vënë në radhë për të siguruar kryeministrin se nuk do të kërkojnë zgjedhje të reja, pasi ato do të ishin një katastrofë për vendin.

Edhe pse humbi mbështetjen e 39 deputetëve, mes tyre edhe pesë ministrave, gjatë votimit të një jave më parë, Tsipras arriti të kalonte masat shtrënguese në parlament falë mbështetjes së Potamit, Demokracisë së Re dhe Pasok. Pas votimit të masave të dyta këtë të mërkurë, qeveria helene shpreson të nisë sa më shpejt bisedimet për marrjen e programit të ri të shpëtimit prej 86 miliardë eurosh, ndërsa ka bërë të ditur se synon të mbyllë negociatat brenda datës 20 gusht.
Sigal