Slobodan Petroviç zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 62 vota

470
Komuniteti serb, i cili përfaqësohet me 10 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, ka zgjedhur sot deputetin Slobodan Petroviç nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, konstatoi se zgjedhja e Petroviç nga Lista Serbe u bë me 62 vota. Në qeverinë e kaluar të Kosovës, Petroviç ishte zëvendëskryeministër e Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal. 
Një nga 12 pikat e axhendës sot ishte propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e të martës me shefat e grupeve parlamentare u njoftua me dorëheqjen e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jasmina Zhivkoviç, pëfaqësuese e Listës Serbe, e cila në zgjedhjet 2014 mori 9 mandate deputetësh. 
Kuvendi i Kosovës u mblodh sot në një seancë të re plenare, pasi mbrëmë përfundoi seancën katërditëshe me pikën e 32-të, formimin e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshllit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës nga radha e komunitetit serb. Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë tjetër të hënën me axhendë shqyrtimin në parim të gjashtë projektligjeve pjesë e paketës së ligjeve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Sigal