Sigal

Mediat sllovake thonë se policia ka arrestuar disa persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e gazetarit investigativ, Jan Kuciak, dhe të fejuarës së tij. Së fundmi, policia ka arrestuar të dyshuar për një krim të dhunshëm dhe ka kryer bastisje, por pa e saktësuar se për cilin rast bëhet fjalë.

Kryeministri i Sllovakisë, Peter Pellegrini, shkroi në “Facebook” se është i lumtur për lajmin që “policia ka arrestuar të dyshuarit për vrasjen e dy të rinjve të pafajshëm” dhe se hetimi është “përparësi e qeverisë së tij”.

Jan Kuciak, i cili shkruante për korrupsionin politik në Sllovaki, u gjet i vdekur bashkë me të fejuarën, Martina Kusnirova, në shtëpinë e tyre afër Bratisllavës në muajin shkurt. Të dy ishin 27 vjeç.

Vrasja tronditi vendin dhe nxiti zemërimin e publikut me korrupsionin, duke çuar në protestat më të mëdha që nga përfundimi i sundimit komunist më 1989.

Trysnia publike çoi në largimin e ish-kryeministrit Robert Fico dhe ministrit të Brendshëm, Robert Kalinak, si dhe të ish-shefit të policisë, Tibor Gaspar.

Jan Kuciak, mes tjerash po punonte për një shkrim mbi veprimtaritë e mafias italiane në vendin e tij dhe të lidhjeve të saj, me njerëz të afërt me qeverinë.