“S’ka gjë më të keqe për një nënë sesa të shohë vrasësit brutalë të fëmijës”, nis gjyqi ndaj shqiptarit dhe grekut

149

14 muaj pas krimit të rëndë në gjykatën e Athinës nisi sot procesi gjyqësor për vrasjen e studentes greke Eleni Topaludhi në Rodos, për të cilën është akuzuar dhe një i ri shqiptar.

Ngjarja që ndodhi natën e 27 nëntorit deri më 28 nëntor 2018 shkaktoi zemërim dhe trishtim në kombin grek.

E veshur me të zeza dhe në gjendje të rënduar, nëna e Elenit mbërriti në gjykatës e shoqëruar nga të afërm të saj dhe miq.

Qytetarët janë në anën e prindërve të studentes që duan ta mbështesin familjen nga afër.

Gruaja, kur pa dy të pandehurit të zhvendoseshin në bankën e të akuzuarve filloi të dridhej nga zemërimi.

Edhe pse burri dhe të afërmit e saj po përpiqeshin ta frenonin, ajo u hodh nga vendi i saj duke bërtitur se donte të shihte se kush ishin “djali shqiptar” dhe “djali vendas”.

Në pamundësi për ta përmbajtur zemërimin dhe inatin e saj, sapo ajo pa të akuzuarit, bërtiti se do t’i vriste ata, ndërsa u përgjigjej atyre që e mbanin duke thënë: “Ata ma shkatërruan jetën dhe unë do të ulem për t’i parë?”

Kjo ishte përballja e parë e prindërve të studentes me dy të akuzuarit për vrasjen e saj, përkatësisht shqiptari Aleksandër Luca dhe greku Manolis Koukouras,

Prindërit i kërkuan gjykatës që t’i dënojë me burgim të përjetshëm për përdhunimin dhe torturat që i kanë shkaktuar vajzës së tyre përpara se ta dërgonin në vdekje.

“Kërkesa jonë është e qartë. Mbetjen e tyre në burg për gjithë jetën. Ne gjithashtu vuajmë nga humbja e Elenit tonë, “përsëritën prindërit e vajzës fatkeqe.

Revoltohet edhe babai

Babai i studentes duke iu drejtuar të akuzuarve që mohuan akuzën e përdhunimit, tha: “Ju nuk keni turp? Për çfarë konsensusi po flisni? Me thikën në qafë e përdhunuat … Vajza jonë ishte ” pa fat ‘, nëse nuk do të ishte Eleni, do të ishte një vajzë tjetër “.

Përmes avokatit të tij, i pandehuri grek deklaroi se ai pranonte vetëm bashkëpunimin në vrasje.

Ndërsa i pandehuri me origjinë shqiptare, mohoi të gjitha akuzat.

Avokati i familjes së viktimës e përshkroi mohimin e të pandehurve si provokues. Ai foli për mizoritë dhe krimin e rëndë, të cilat, tha ai, u kryen nga dy nga të pandehurit, në mënyrë që viktima të mos i raportonte ata për përdhunimin në grup.

Babai i Elenit pritet të dëshmojë në gjykatë.

Në të njëjtën kohë, një grup protestuesish u mblodhën në Gjykatën e Përbashkët të Athinës për të protestuar ndaj vdekjes së padrejtë të studentes. Protestuesit ngritën një pankartë me sloganin “Ata po na vrasin”.

Procesi gjyqësor do të nisë me dëshminë e prindërve të studentes.

Edhe pse dhjetëra njerëz u morën në pyetje përgjatë 9 muajve, vetëm 11 dëshmitarë, më të rëndësishmit, do të dëshmojnë përfundimisht në gjykatë.

Zyrtarë të portit, banorë vendas që gjetën viktimën, një mik i Elenit dhe të afërm të të akuzuarve, do të dëshmojnë në gjykatë sipas mediave greke.

Të dy të pandehurit do të transferohen në Gjykatën Athinës nën masa të rrepta sigurie.

Që nga e premtja në mëngjes ata janë transferuar në burgun Korydallou për gjykim.

“Ndihem e tmerruar. Nuk ka gjë më të keqe për një nënë sesa të shikojë vrasësit brutalë të fëmijës së saj” thotë nëna e studentes greke.

Si për ironi të fatit, gjyqi fillon dy ditë para ditëlindjes së Elenit.

Të dy të pandehurit kanë akuzuar në vijimësi njëri-tjetrin që nga momenti i parë i arrestimit dhe nuk pritet të ndryshojë diçka as gjatë gjykimit.

Disa javë më parë, greku kërkoi falje përmes avokatit të tij.

Akuzat me të cilat përballen dy të akuzuarit janë janë vrasje dhe përdhunim në grup.