Situatë dramatike e komunitetit shqiptar në Rumani

1149
Sigal

Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani,

Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha,

Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zj. Jozefina Topalli,

Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti

 Shkëlqesi! Jemi të detyruar nga rrethanat në të cilat ndodhet sot Diaspora shqiptare e Rumanisë, të Ju ridrejtohemi me këtë letër, Juve si Përfaqësues të lartë të Shtetit amë, për të Ju informuar dhe sensibilizuar situatën mbi zhvillimet retrospektive dhe aktuale të komunitetit tonë.

Prej disa vitesh rresht, shteti shqiptar dhe opinioni mbarëkombëtar, janë njohur me situatën e rëndë në të cilën ndodhet diaspora shqiptare e Rumanisë, në veçanti organizata përfaqësuese e kësaj, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR). Kjo si pasojë e faktit se etnia shqiptare përfaqësohet në Parlamentin e Rumanisë nga një person që nuk i përket kësaj etnie, nuk njeh as historinë, as anëtarët e komunitetit shqiptar në Rumani, por që përdor subvencionet financiare të Qeverisë vetëm në dobinë e një grupimi të themeluar në mënyrë të dyshimtë nga Oana Manolescu, shtetase rumune me origjinë maqedonase. Disa muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2000, krijon një ligë të përbërë nga rreth 10-15 persona, ku dhe këta nuk janë të gjithë me etni shqiptare. Për më tepër, një pjesë e këtyre subvencioneve financiare përfitohen dhe shkojnë në xhepat e një familje të vetme, familja e Marius Dobrescut, shtetas rumun (si shefja e tij, Oana Manolescu që nuk ka origjinë shqiptare), që gjithashtu s’ka asnjë lidhje me shqiptarët, si drejtues të fletushkës “Prietenul Albanezului”, pothuaj të vetmit që botojnë në këtë të ashtuquajtur “revistë”. Kujtojmë se Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, me një traditë mbi 400 vjeçare të atestimit të saj dokumentar, e cila në momentin e tanishëm gjendet në pragun e shpërbërjes për shkak të vështirësive financiare që po përjeton prej vitit 2001, kur të gjitha subvencionet e shtetit rumun që i takonin minoritetit shqiptar, iu kaluan një personi të huaj për këtë etni, që nuk i njeh as historinë, as anëtaret e saj, duke i provokuar dëme të pallogaritshme në drejtim të vazhdimësisë. Kështu, selia qendrore e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, e vetmja organizatë përfaqësuese e minoritetit shqiptar, e themeluar në maj të vitit 1990, anëtare themeluese e Këshillit të Minoriteteve Kombëtare të Rumanisë, u desh të braktisej, gjë që i solli dëme patrimonit të këtij organizmi, ndërkohë që degët e saj, madje edhe më të mirat që kishte, si për shembull në Braila, Kraiova, Turnu Severin, Konstancë, nuk e kanë më mundësinë e një veprimtarie sadopak normale. Nuk botohet më Vjetari “Albanezul”, (Shqiptari), i ndërprere që nga viti 2000, dhe as librat mbi Historinë e komunitetit shqiptar të Rumanisë, të cilat ishin në përpunim e sipër. Revista “Albanezul” (Shqiptari) nuk del më çdo muaj si më parë, por vetëm çdo tre muaj, edhe kjo në funksion të mundësive të kolegjiumit të redaksisë, i cili punon në mënyrë vullnetare. Sigurisht që nuk mund të renditen të gjitha vështirësitë që po përjetojmë. Thjesht dëshirojmë të konkretizojmë me shembuj të përmbledhur, shqetësimin e ligjshëm për fatin tonë të ardhshëm. Zonja Oana Manolesku, me vete deklaratën e saj pranë Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë, e themeluar si fondacion në vitin 1997, ka pranuar se është me kombësi rumune dhe origjinë maqedonase, duke mos përmbushur kësisoj kushtin e përfaqësimit të minoritetit të shqiptarëve në Parlamentin e Rumanisë, aq më tepër që askush nuk e ka njohur këtë person me përkatësi në etninë shqiptare, as të paktën koleget e saj. Organizata me emërtim tautologjik Shoqata Liga (që nga pikëpamja gramatikore është e njëjta gjë) e Shqiptarëve të Rumanisë, doli me këtë cilësim të çuditshëm pas hyrjes së saj si deputete në Parlament, në bazë të listës së Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë, në vijim të kontestimit që iu bë nga ana e drejtuesve të Ligës që u themelua si fondacion në vitin 1997 dhe u shndërrua në shoqatë ne vitin 1999. Pra afirmimi se e paska prejardhjen nga një familje shqiptare, përbën një fantazi të pastër që nuk përkon me realitetin dhe që nuk mund të justifikohet kurrsesi. Sigurisht, të jesh “mik i shqiptarëve” nuk barazohet me përkatësinë pranë kësaj etnie, në një kohë kur në Bukuresht ka një Shoqate të Miqësisë Rumuno-Shqiptare, në të cilën bëjnë pjesë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Oana Manolesku propagandon me dy tre pseudoshqiptarë “arritjet shembullore” të Shoqatës Liga e Shqiptarëve të Rumanisë dhe botimin e revistës “Prietenul Albanezului” (Miku i Shqiptarit), por nuk thotë asnjë fjalë të vetme se këto realizohen me subvencionet e Qeverisë së Rumanisë të parashikuara për minoritetin shqiptar, dhe se në këtë mënyrë dëmet i sillen pikërisht minoritetit shqiptar, i cili tashmë ndodhet në proces të shpërbërjes si pasojë e vështirësive financiare që nuk i japin mundësinë e zhvillimit të një veprimtarie normale. Theksojmë se asnjë Euro nga subvencioni financiar nuk shkon për shqiptarët etnikë, për të mbështetur shqiptarë të vjetër që janë prej vitesh të sëmurë/paralizuar, për të mbështetur aktivitete të ndryshme, apo për t’u kujdesur për të ruajtur vlerat kulturore historike që po degradohen nga koha. Vlen të përmendim si më kuptimplotë faktin e dëmtimit të varrit të Viktor Eftimiut. Në revistën e deputetes Manolescu, “Prietenul albanezului/ Miku i shqiptarit” (në gjuhën rumune), botojnë në shumicë vetëm 2-3 persona të një familjeje, Oana Malolescu dhe Marius Dobrescu me bashkëshorten e tij, Maria Dobrescu. Prania e Oana Manoleskut në Parlamentin e Rumanisë është kontestuar që prej periudhës së zgjedhjeve nga ana e Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë në emrin e së cilës kandidoi dhe vetëkuptohet edhe nga organizata përfaqësuese e etnisë, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë. Grupi Parlamentar i Minoriteteve Kombëtare të Parlamentit të Rumanisë, e mohoi si përfaqësuese të etnisë shqiptare. Komisioni i Validimit të Mandateve u ndryshua disa herë, ndërkohe që validimi i saj si deputet zgjati nga Nëntori i vitit 2000 deri në Mars të vitit 2001, dhe për këtë, drejtuesit e Dhomës së Deputetëve sollën motivacionin se nuk kishte më asnjë mundësi të rikuperoheshin lekët e përfituara nga Oana Manolesku si deputete, për aq kohë sa qëndroi e pavaliduar. Kjo padrejtësi  ndaj minoritetit shqiptar u është bërë e njohur të gjitha forumeve (Drejtuesve të Dhomës së Deputetëve, Presidencës së Rumanisë, Qeverisë së Rumanisë), përfshirë edhe Drejtësinë), pa u marrë parasysh akti i falsifikimit të dokumenteve publike, për faktin se duke pasur mandat deputeti, ajo gëzonte imunitet parlamentar. Shtypi i Rumanisë dhe Shqipërisë e ka vënë në dukje këtë padrejtësi, madje Oana Manolescu është prezantuar në një nga organet qendrore të shtypit rumun (gazeta “Adevarul”) në rubrikën “Personi më i diskutuar”.

Anëtarët e etnisë shqiptare kanë reaguar në shumicën e tyre dërmuese, por më kot. Drejtuesit e BKSHR-së i kanë bërë tashmë të gjitha përpjekjet ligjore, me përjashtim të sinjalizimit të këtij rasti pranë Këshillit të Europës. Aktualisht, në vijim të vullnetit për riorganizim të vazhdueshëm, BKSHR ka në drejtim të saj një grup të rinjsh idealistë dhe të sakrificës, të cilët me gjithë vështirësitë që po ndeshin, kanë vënë mbi gjithçka interesin e shpëtimit nga zhdukja dhe harresa të diasporës shqiptare në Rumani. Mund të përmendim në radhë të parë, themeluesin e Bashkësisë, Profesor Xhelku Maksuti, aktualisht kryetar nderi, ish-Kryetaren, znj. Xhemile A. Susliu, pjesëtare e denjë e familjes patriote Memishi që ka ruajtur me fanatizëm si rrallë ndonjë familje tjetër, identitetin dhe përkatësinë kombëtare përmes mbajtjes pa ndërprerje të pasaportës shqiptare, madje edhe në kohëra të egra siç ishin vitet nën Ceaushescun. Znj. Xhemile ka financuar në mënyrë vullnetare daljen e gazetës “Albanezul”, mjaft ceremoni protokollare të BKSHR-së etj. Të gjitha fjalët mbi “dashurinë për shqiptarët” shpërbëhen përballë realiteteve të dhimbshme që po përjeton Bashkësia e Shqiptarëve të Rumanisë, gjë që ndikoi edhe në rezultatin e regjistrimit të popullsisë gjatë vitit 2001, kur disa anëtarë nuk e deklaruan më përkatësinë në etninë shqiptare, duke menduar se kësisoj do të validonin praninë në Parlament të një deputeti që nuk u përket atyre.

Me këtë rast, dëshirojmë të Ju njoftojmë, të nderuar drejtues të lartë, ndihmën e jashtëzakonshme të ish-ambasadorëve Fran Zef Çukaj, Marko Bello, Leonidha Mërtiri, Dashnor Dervishi, të ambasadorit aktual, Sami Shiba dhe të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bukuresht, që na janë gjendur dhe na gjenden gjithmonë pranë, i vetmi vend ku mbështesim me besim shpresat. Kanë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për vënien në vend të dinjitetit tashmë të cenuar dhe nëpërkëmbur të Bashkësisë sonë. Ambasadori Sami Shiba, ashtu si ambasadorët paraardhës Çukaj, Bello, Mërtiri e Dervishi, janë të njohur me situatën, janë bashkuar me shqetësimin tonë dhe na kanë bërë të ditur se këtë shqetësim dhe situatën e rëndë në të cilën ndodhet organizata përfaqësuese e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, ua kanë bërë të njohur edhe autoriteteve të Shqipërisë.

Shtojmë se me subvencionet financiare të Rumanisë për komunitetin shqiptar, zonja Oana Manolescu po ndërton një vilë në Kraiovë, gjoja si seli e pseudo-organizatës së saj, por që vështirë se do jetë e organizatës së saj fantazmagorike. Por në këtë kontekst, apeli ynë shkon drejt Jush dhe nëpërmjet jush tek institucionet kompetente të Republikës së Shqipërisë për gjetjen e modaliteteve të një ndihme te mundshme nga ana e shtetit – amë, për çka u paraqitëm më lart. Ky sensibilizim/apel bëhet pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Rumani, ku ka shumë mundësi të kandidojë përsëri zonja Manolescu, ose ndonjë shtetas tjetër rumun, i lidhur me të, por pa asnjë lidhje gjenetike apo kontribut konkret për shqiptarët.

Me dashuri vëllazërore dhe shumë konsideratë!

Prof. Dr. Xhelku Maksuti, Kryetar Themelues i BKSHR-së, Aktualisht Kryetar Nderi i BKSHR-se, Baki Ymeri, Kryeredaktor i Revistës “Albanezul/Shqiptari”, anëtarët e Komitetit Drejtues te BKSHR-së: Lule Simion, Fatime Aliu, Xhemile Aliu, Mihaela Buican, Adriana&Sherban Tabacu, Adria Kallogjeri etj..