Shtyhen bisedimet për ndihmën e tretë të Greqisë

423
Për ditën e premte ishte parashikuar që të niseshin bisedimet për Greqinë, për programin e tretë të shpëtimit nga kriza. Por, përpjekjet për të hartuar një marrëveshje të re në ndihmën e këtij vendi dështuan.
Pas miratimit të dy paketave të masave shtrënguese në parlament, Greqia pritet të sigurojë 86 miliardë euro nga kreditorët, për të shmangur kolapsin total të shtetit dhe daljen nga Eurozona.
Përfaqësues të institucioneve huadhënëse të Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, thanë se bisedimet nuk mund të fillojnë deri kur të gjendet vendi i duhur për t’u ulur në tryezë. Zëdhënësja e qeverisë helene, Olga Gerovasili ka thënë se, negociatat me shefat e misioneve të këtyre institucioneve mund të nisin ditën e shtunë.
Shkak i mos nisjes së këtyre bisedimeve është çështja e sigurisë, pasi populli grek është i irrituar pas masave shtrënguese të vendosura nga 2 programet e mëparshme. Pas më gati një muaji, të premten u shfuqizuan edhe kufizimet e transfertave bankare jashtë Greqisë për bizneset, duke zhbllokuar importet që kishin asfiksuar tregjet.
Sigal