Shtohet frika e sulmeve në Romë, pas kërcënimeve nga terroristët

69
Pas sulmeve terroriste në Paris e kërcënimeve të terroristëve të ISIS “se shumë shpejt do të mbërrijnë dhe në Romë”, rritet cdo orë dhe më shumë preokupimi i qytetarëve italianë mbi rrezikun e mundshëm të atentateve dhe në këtë qytet. E shton këtë preokupimi dhe nisja më 8 dhjetor të Vitit Jubilar të Mëshirës proklamuar nga Papa Francesku e Selia e Shenjtë i cili parashikon mbërritjen në Romë të mbi 1 milionë persona, turistë e besimtarë të krishterë.
Në rrjetet sociale shumëfishohen thirrjet e qytetarëve italianë për ti thënë “stop Jubileut”, “arsyeja nuk ka frikë”, “Roma në rrezik si Parisi”, “Roma duhet të garantoj sigurinë e qytetarëve të saj e më pas të mendojë për Jubileun”.
Këtë frymë preokupimi të qytetarëve italianë ka shprehur dhe kryeministri Matteo Renzi gjatë takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e të gjitha forcave politike në vend.
“Opinioni publik është i tronditur, ka deklaruar Renzi, e çka i duhet sot është ndjenja e një Italie të bashkuar. Është koha për të qënë të gjithë të bashkuar.”
Duke i bërë apel të gjithëve për një sens përgjegjësie të lartë, kryeministri italian u shpreh se “jemi përballë një sfide që do të zgjasë me vite.”
Ndërsa për ministrin e Brendshëm Anxhelino Alfano rreziku i terrorizmit në Romë konsiderohet më i lartë pikërisht për praninë e Papës në këtë territor.
“Cka ka ndodhur në Paris është shumë më tepër sesa atentatet e mëparshme, tha ai. Gjatë viteve të fundit kemi derdhur lot për vendet e sulmuara nga këto atentante, por cfarë ndodhi në Paris është dicka tjetër që ka të bëj me rritjen e nivelit të kërcënimit, perceptuar e analizuar realisht nga studiozët e inteligjencës së antiterrorizmit në të gjithë botën”, tha Alfano.