Shtohen kriteret për udhëtarët e 6 vendeve myslimane

492
Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur në fuqi urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump, i cili parashikon bllokadë për emigrantët e gjashtë vendeve me shumicë popullsie myslimane. Në bazë të rregullores së re, asnjë qytetar nga shtetet e prekura nuk mund të udhëtojë drejt ShBA për 90 ditët e ardhshme, pa patur të afërm ose lidhje biznesi.

Pasi mori dakordësinë e pjesshme të Gjykatës Supreme amerikane për të zbatuar planin e Presidentit Donald Trump në lidhje me emigrantët, Shtëpia e Bardhë ka publikuar rregullat e reja për udhëtarët nga 6 vende me shumicë popullsie, ku sipas planit, askush prej tyre nuk do të mund të udhetojë drejt Shteteve të Bashkuara pa patur të afërm ose lidhje biznesi në ShBA.

Penalizimet u futën në fuqi në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes dhe prej tyre do të preken Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni.

Ky rregull ishte parashikuar që me firmosjen e urdhrit ekzekutiv të firmosur nga Donald Trump, por gjithçka u pezullua pas disa vendimeve që dhanë gjykatat federale amerikane.

Duke parë kundërshtimet e shumta, Shtëpia e Bardhë e dërgoi çështjen në Gjykatën Supreme nga ku mori dritën jeshile për të implementuar nismën.

Drejt Shteteve të Bashkuara mund të udhëtojnë edhe ata persona që ndjekin studimet e larta, ose kanë një vizë pune, por kjo duhet të provohet përmes shkresave zyrtare dhe s’mund të jetë evazive.

Nga rregulli përjashtim bëhet vetëm për personat që kanë dy shtetësi, mbi të cilët nuk aplikohen penalizime.

Urdhri ekzekutiv i Donald Trump, ka shkaktuar debate të shumta përgjatë muajve të fundit, e megjithatë sipas Presidenti amerikan, qëllimi i vetëm i tij është që të forcojë sigurinë përballë kërcënimit të vazhdueshëm nga terrorizmi.
Sigal