Shqiptari i dënuar për vrasje arratiset nga burgu në Itali, policia vë alarmin

164

Një shqiptar 45 vjeç ka arritur të arratiset nga burgu në Campobasso të Italisë, pai autoritetet policore i kishin dhënë atij leje. Shqiptari, pasi ka marrë leje, nuk është kthyer më në qeli.

Pas arratisjes që ka bërë bujë në rajonin e Molisë, karabinierët janë vënë në ndjekje të tij, për ta rikthyer sërish në qeli shqiptarin e rrezikshëm. Burri, që vuante dënimin për vrasje në shtetin fqinj, kishte marrë leje nga burgu për arsye pune, shkruajnë mediat italiane.

Pasi shqiptari nuk u kthye më, policët italianë kanë ngritur post-blloqe në mbarë territorin e provincës, kurse kanë vënë në dijeni edhe kolegët e tyre në provinca të tjera të Italisë. Akoma nuk dihet sesi ka ndodhur arratisja.

Hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë ndihmuar nga bashkëpunëtorë, jashtë burgut. Tashmë fotografia e burrit shqiptar është shpërndarë kudo dhe ai po kërkohet për të vuajtur dënimin.