Shqiptari arrestohet në Itali pasi kapet me kokainë dhe 30 mijë euro

115

Policia italiane në Pistoia ka arrestuar një shqiptar 34 vjeç nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Ai u arrestua pasi dyshohet se ka trafikuar kokainë.

Mediat italiane shkruajnë se në pranga ka rënë shtetasi nga Shqipëria me inicialet A.M 34 vjeç, banues në Firence. Shqiptari u arrestua ndërsa ishte duke shëtitur në qendër të qytezës së Pistoias, shkruajnë mediat e vendit fqinj.

Karabinierët kanë sekuestruar makinën e shqiptarit që ishte marrë me qira dhe në të kanë gjetur 10 mijë euro të gatshme. Paratë dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të kokainës.

Më pas në shtëpinë ku banonte, në Firence, policia gjeti edhe materiale të cilat i duheshin shqiptarit për të kryer aktivitetin e jashtëligjshëm. Forcat policore gjetën aty peshore, kokainë dhe të tjera pajisje që duheshin për trafikim të lëndëve narkotike, por edhe 20 mijë euro të tjera. Gjykatësi i çështjes vendosi të linte shqiptarin në “arrest shtëpie”.