Shqipja, gjuhë rajonale – Në Maqedoni, gjuhë zyrtare, e detyrueshme në institucione

458
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Telat Xhaferi ka dërguar në Fletoren zyrtare ligjin për gjuhën shqipe të votuar në parlamentin e Maqedonisë vitin e kaluar, pas përplasjeve të vazhdueshme, por edhe incidenteve të dhunshme në sallën e Parlamentit. Me botimin e këtij ligji në Gazetën zyrtare, ligji do të jetë funksional, dhe shqipja do të jetë gjuhë zyrtare. Kështu, neni 2 i ligjit për përdorimin e gjuhëve saktëson: Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj në pajtim me këtë ligj. Neni tre i ligjit saktëson se gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha organet shtetërore në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet, por edhe personat juridikë. E njëjta gjë vlen edhe për organet e pushtetit lokal, thotë neni 4 i ligjit në fjalë. Tashmë në Ballkanin Perëndimor janë tre shtetet, të cilat kanë shqipen gjuhë zyrtare. Opozita ndërkohë ka reaguar ashpër ndaj veprimit të Telat Xhaferit për ta nxjerrë ligjin në Fletore zyrtare. Sipas opozitës, kjo është një goditje ndaj shtetit. Kujtojmë se, ligji në fjalë u kthye nga Presidenti Ivanov, dhe tashmë ka kaluar pa firmën e tij. E njëjta gjë është bërë edhe për marrëveshjen e Prespës, është dërguar në Fletoren zyrtare pa firmën e Presidentit. Ligji për gjuhët është miratuar në Parlament, në marsin e vitit të kaluar.