Shkrihet grupi i 17 trafikantëve të kokainës në Itali, dalin akuza të reja për Dorian Petokun

472
Sigal

17 persona janë vënë në pranga ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, si rezultat i finalizimit të operacionit të koduar si “Re Mida” nga Antidroga e Romës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Antimafias.

Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat e pjesëmarrjes në aktivitet të organizuar kriminal dhe e ushtrimit të veprimtarisë së trafikut të drogës dhe të armëve.

Pjesë e këtij grupi kriminal nën akuzë është edhe shtetasi shqiptar, Dorian Petoku, 33 vjeç, i arrestuar pak muaj më parë për trafikimin e sasisë së konsiderueshme prej 644 kg kokainë, në bashkëpunim me 5 persona të tjerë, Salvatore Casamonica-n, Silvano Mandolesi-n, Tomislav Pavlović-in dhe Marcello Schiaffini-n.

Roli i Petokut ishte të siguronte kokainë nga vendet e Amerikës Latine, për t’u lidhur më pas me trafikantët në vendet e tjera.

Gjatë operacionit të sotëm janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 100 kg kokainë, 143 kg hashash, një laborator droge, 20 armë zjarri, 6 kg eksploziv dhe 5 detonatorë.

Grupi kriminal e ushtronte aktivitetin e tij në Romë, duke pasur si bazë veprimi lagjen Montespaccato.