Shkatërrohet banda e vjedhjes së makinave luksoze

495
Policia italiane e qytetit të Monzës, me anë të një operacioni të koduar “Tarocco”, ka shkatërruar një bandë grabitësish të makinave luksoze e drejtuar nga dy shtetas shqiptarë.
Nën hetim janë vënë 17 anëtarët e bandës: 7 shtetas shqiptarë, 6 italianë, 1 egjiptian, 1 maroken, dy gra të nënshtetësisë rumune e bullgare.
7 prej tyre janë arrestuar dhe 9 të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. Bandës i janë sekuestruar 23 makina luksoze të grabitura e të shitura në Shqipëri, Gjermani, Mal i Zi e Itali në vlerë përfitimi prej 1 milion e 750 mijë euro.
Banda grabiste në territorin italian makina luksoze të tipit Jaguar, BMW, Audi, Range Rover etj, dhe i transformonte për t’i shituar më pas jashtë kufirit italian.
Grabitjet kryheshin në parkinget e makinave, disa prej të cilave të pozicionuara në aeroportin Malpensa të Milanos apo në parkinget e hoteleve luksoze.
Çdo anëtar i bandës kishte një rol të përcaktuar mirë. Fillimisht identifikohej makina për t’u vjedhur e pronari i saj përgjohej deri në momentin e duhur për të realizuar grabitjen.
Operacioni “Tarocco” ka shtrirë hetimet e tij jo vetëm në provincën e Milanos, por dhe në territorin e Bergamos, Kietit e Pavias.
Sigal