Shkatërrimi i pikës së testimeve bërthamore, Peniani mirëpret gazetarët

575
Sigal

Përfaqësues të medias perëndimore, ruse, kineze e së fundmi koreano-jugore do të mbërrijnë sot në pikën koreano-veriore të testimeve bërthamore, për të raportuar shkatërrimin e saj. Udhëtimi i gazetarëve konsiderohet si një gjest i vullnetit të mirë nga Peniani zyrtar, ndërsa ekzistojnë dyshime se takimi i planifikuar mes udhëheqësit koreano-verior dhe presidentit amerikan mund të shtyhet për një tjetër moment.

Gazetarët koreano-jugorë janë lejuar t’i bashkohen një grupi gazetarësh ndërkombëtarë, të cilët do të ndjekin nga afër dhe do të raportojnë shkatërrimin e një pike të testimeve bërthamore në Korenë e Veriut. Përfaqësues mediatikë nga Perëndimi, Rusia dhe Kina mbërritën një ditë më parë në qytetin portual verior të Wonsan, ndërkohë që me përmirësimin e motit, ata do të vijojnë udhëtimin drejt Punggye-ri, vendi i menduar si godina kryesore bërthamore e Koresë së Veriut, që është parashikuar të shkatërrohet plotësisht gjatë kësaj jave.

Udhëtimi i gazetarëve në zemrën bërthamore të Koresë së Veriut shihet si një gjest i vullnetit të mirë nga ana e Penianit, që pas samitit mes udhëheqësit verior Kim Jong-un me presidentin jugor Moon Jae-in. Çmontimi i pikës së testimeve përbën një hap të rëndësishëm, në një kohë kur samiti i ardhshëm mes Kim dhe presidentit amerikan Donald Trump është vënë në dyshim nëse do të zhvillohet ose jo.

Kreu i Uashingtonit deklaroi një ditë më parë se ka një mundësi reale që takimi i tij historik me kreun e Penianit të shtyhet për një moment të dytë. Sidoqoftë, më vonë gjatë ditës, sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo konfirmoi se Shtetet e Bashkuara ende po punojnë që takimi të zhvillohet më 12 qershor në Singapor, ashtu siç është planifikuar.