Shkarkohet Lauer i NBC, akuza për sjellje të pahijshme seksuale

476
Rrjeti televiziv NBC njoftoi sot se ka pushuar nga puna Matt Lauer-in, një nga drejtuesit e mirënjohur të emisionit të mëngjesit, për sjellje seksuale të papërshtatshme në vendin e punës.
Bashkëdrejtuesja e emisionit Savannah Guthrie e njoftoi lajmin në fillim të programit të mëngjesit “Today”.
“Ky është një mëngjes i trishtuar këtu në “Today” në NBC News” tha ajo.’
Matt Lauer, 59 vjeç, është një nga figurat më të njohura të emisioneve të mëngjesit mjaft të ndjekura në Amerikë.
Ai radhitet tek të mëdhenjtë e gazetarisë televizive, spektaklit dhe politikës në SHBA, që janë larguar apo goditur pas akuzave për ngacmime, sulme seksuale ose përdhunime, në një valë zemërimi që nisi me akuzat e shumta ndaj manjatit të kinemasë Harvey Weinstein.
Në një shkresë drejtuar stafit, drejtuesi i NBC-së Andy Lack shkruante se të hënën në mbrëmje, rrjeti televiziv mori një ankesë të hollësishme rreth sjelljes së papërshtatshme seksuale në vendin e punës të gazetarit Matt Lauer.
“Pas shqyrtimit serioz të letrës, ajo që thuhej në të, përfaqësonte një shkelje të qartë të standardeve të kompanisë sonë. Si rezultat, kemi vendosur të ndërpresim marrëdhëniet e tij të punës”, shkruante zoti Lack.
Sipas tij kjo ishte ankesa e parë kundër Matt Lauer-it në më shumë se 20 vjet punë në NBC. Por drejtuesi i NBC-së tha se rrjeti televiziv siguroi prova që tregonin se ky nuk mund të mos ketë qenë një incident i izoluar.
Të mërkurën, Presidenti Trump komentoi në Twitter: “Çudi, Matt Lauer u shkarkua nga NBC për ‘sjellje të papërshtatshme seksuale në vendin e punës’. Kur do të shkarkohen drejtuesit e lartë të NBC & Comcast për aq shumë lajme të rreme që publikojnë? Kontrolloni të kaluarën e Andy Lack!”
Sigal