Shërbimi konsullor për emigrantët, pajisen me certifikata në Itali për 20 euro

567
Prej janarit të këtij viti në zyrat konsullore të Republikës së Shqipërisë në qytetin e Milanos, të Barit e në Ambasadën Shqiptare në Romë ka nisur një shërbim i ri konsullor në dispozicion të të gjithë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në territorin italian.
Më 16 janar, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë ceremonisë së inagurimit të kësaj risie në Konsullatën e qytetit të Milanos u shpreh se “kjo reformë ka per objektiv kryesor përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve konsullore, përshpejtimin e procedurave si dhe uljen deri në masën 50% të tarifave konsullore për shtetasit tanë”.
Praktikisht sot emigrantët shqiptarë mund të marrin pranë zyrave konsullore shqiptare në Itali:
1- Çertifikatë lindje; 2- Çertifikatë vdekje; 3- Çertifikatë familjare; 4- Çertifikatë martese.
Deri para nisjes së kësaj reforme çdo shtetas shqiptar rezident në Itali, për pajisjen me çertifikatë të tilla i duhej të rikthehej në komunën e vendlindjes në Shqipëri, ta përkthente në gjuhën italiane, ta noterizonte, e më pas ta vuloste në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare.
Pra një kosto ekonomike e kohore, që sot falë kësaj këtij shërbimi të ri është evituar.Pagesa për çdo certifikatë të marrë është 20 euro.
Në Ambasadën shqiptare në Romë mësojmë se fluksi i kërkesave për pajisjen me çertifikata të tilla gjatë muajit të parë të nisjes së këtij shërbimi të ri konsullor ka qënë mjaft normal me kërkesa kryesisht në çertifikata lindje e martese.
Punonjësit e zyrës konsullore në Ambasadën e Romës shprehen “se me krijimin e mundësisë së lëshimit të çertifikatave nga Zyrat konsullore Romë, Milano dhe Bari është reduktuar në maksimum ana burokratike.
Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë, rezident në Itali, nuk do të kenë më nevojë të shkojnë apo autorizojnë dikë në Shqipëri për të marr çertifikatë lindje, familjare, martese apo vdekje.
Brenda ditës ata mund të pajisen me këto dokumenta pranë zyrave konsullore shqiptare në Itali.
Për Ministrin Bushati ky proçes i sapo nisur është vetëm hapi i parë i projektit Konsullata Dixhitale që Ministria e Jashtme shqiptare synon ta zbatojë përgjatë vitit 2016.
Sipas këtij projekti një pjesë e mirë e shërbimeve konsullore do të ofrohen brenda një platforme online, duke modernizuar kështu shërbimin, rritur transparencën, përfshirë aksesin ndaj informacionit dhe duke shkurtuar proçedurat burokratike.
Sigal