Shërbimi Informativ gjerman: Avionin MH-17 e rrëzuan pro-rusët

426
Sigal

Rrëzimi i avionit malajzian MH17 në Ukrainën Lindore, sipas Shërbimit Informativ Gjerman është shkaktuar nga një raketë, e lëshuar nga separatistët prorusë.
Siç bën të ditur revista “Der Spiegel” në numrin e saj të fundit, shefi i BND-së, Gerhard Schindler e deklaroi këtë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Kontrollit të Bundestagut. Ai paraqiti në Komision dëshmi të ndryshme, midis tyre një regjistrim të pamjeve satelitore dhe fotografi të ndryshme.

Në bazë të kësaj, separatistët prorusë kishin rrëmbyer një sistem të mbrojtjes ajrore të tipit BUK nga një bazë ukrainase dhe e lëshuan prej tij më 17 korrik një raketë, e cila shpërtheu direkt pranë avionit MH17. Në bordin e avionit Boeing ndodheshin 298 persona, të cilët humbën të gjithë jetën.

Avioni i pasagjerëve i Malaysia Airlines qe nisur më 17 korrik nga Amsterdami, me objektiv Kuala Lumpurin. Menjëherë pas rrëzimit pati supozim se avioni mund të ishte rrëzuar nga milicët prorusë. Që atëherë, qeveria ruse dhe ajo ukrainase akuzojnë njëra-tjetrën reciprokisht se e kanë shkaktuar rrëzimin.
 
Pak kohë më parë, qeveritë e Hollandës dhe të Australisë kërkuan nga presidenti rus një “bashkëpunim” më të ngushtë në sqarimin e rrëzimit të avionit MH17.