Shën Petersburg – Sulmi në metro, 11 të vdekur, dy të dyshuar për shpërthimin

540
Të dhëna kontradiktore mbi bilancin e viktimave që la sulmi i një dite me parë në stacionin e metrosë në Shën Petersburg të Rusisë.

Duke cituar burimet zyrtare, mediat raportojnë paraprakisht se nga shpërthimi brenda një makine në sistemin e metrosë humbën jetën 11 persona, ndërsa u plagosën mbi 45 të tjerë.

6 nga të plagosurit mësohet se janë në gjendje të rëndë dhe bilanci i viktimave pritet të përkeqësohet në vijim.

Nga ana tjetër, disa media lokale ruse flasin për 14 të vdekur.

Shërbimi rus i lajmeve “Interfax” tha se po kërkohet për dy të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Autori i sulmit vetëvrasës dyshohet se është 22 vjeçari Arishev Maksim, me origjinë nga Kazakistani.

Ndërkohë autori i dytë i dyshuar për vendosjen e bombës së pashpërthyer në stacionin Ploshchad Yanvarskogo, e cila u çaktivizua më pas nga policia, është qytetari rus Akbarzhon Jalilov, 22 vjeç, i cili ka lindur në Kirgistan.

Kamerat e sigurisë në metro e kanë filmuar atë teksa ecte duke mbajtur një çantë në shpinë.

Zyrtarët ishin të kujdesshëm për të mos dalë në përfundimin se bëhej fjalë për terrorizëm, por thanë se shpërthimi ishte duke u hetuar si një akt i mundshëm terrorizmi. Mediat ruse raportuan se vendosja e lëndës shpërthyese ishte e qëllimshme.

Megjithatë pistat kryesore ku janë fokusuar autoritetet ruse për hetimin e sulmit, janë “radikalizmi” i lidhur me Shtetin Islamik si dhe nacionalizimi.
Sigal