Shefi i NATO-s lëshon alarmin: Evropa, brenda shtrirjes raketore të Koresë Veriore

105
Raketat e Koresë Veriore tashmë kanë kapacitet për ta goditur Evropën, gjë që i vë në rrezik anëtarët e NATO-s, ka thënë shefi i aleancës Jens Stoltenberg para një vizite në Japoni dhe Korenë Jugore. Megjithatë, ai ka insistuar se aleanca ushtarake ka aftësi për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
“Ne e pranojmë se Evropa është futur në shtrirjen raketore [të Koresë Veriore], dhe shtetet anëtare të NATO-s tashmë janë në rrezik”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg për gazetën “Yomuiri Shumbun”.
Ai ka theksuar se NATO i ka mbrojtur vendet e veta anëtare nga kërcënimet e raketave balistike, por nevojiten më shumë përpjekje diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë konflikt.
“NATO ka kapacitete dhe vendosmërinë për t’iu përgjigjur çfarëdo kërcënimi dhe agresioni”, e ka bërë të qartë Stoltenberg, duke insistuar se aleanca ushtarake nuk dëshiron luftë.
“Asnjë aleat i NATO-s dhe natyrisht as vetë NATO nuk dëshirojnë luftë… sepse do të ishte katastrofë”, ka thënë ai.
Stoltenberg do ta vizitojë Japoninë sot dhe nesër.