SHBA – Trump: Obama përgjegjës për protestat dhe rrjedhjen e informacionit

470
Presidenti amerikan Donald Trump beson se paraardhësi i tij Barack Obama është përgjegjës për gjithë rrjedhjen e informacionit brenda administratës së tij. Në një intervistë për rrjetin Fox News, Trump është shprehur se Obama gjithashtu është edhe organizator i protestave masive që po organizohen kundër tij në mbarë Shtetet e Bashkuara. Çështja e publikimit të informacioneve konfidenciale është kthyer në një shqetësim për administratën Trump, që në muajin e parë në detyrë.

Presidenti Donald Trump është shprehur se ai beson që ish-presidenti Barack Obama është organizator i të gjithë rrjedhjeve të informacionit brenda administratës së tij. I pyetur në një intervistë në rrjetin amerikan Fox News, Trump tha se presidenti Obama qëndron edhe pas protestave masive që po organizohen në vend. Gjatë diskutimit të tij lidhur me publikimin e informacioneve konfidenciale, që kanë trazuar muajin e tij të parë në detyrë, Trump u shpreh se njerëzit e Obamas janë pikërisht shkaktarët e këtyre trazirave. Duke i kritikuar ata për mënyrën e gabuar si kanë trajtuar sigurinë kombëtare, Trump gjithashtu ka shtuar se ai e kupton që politika është e tillë dhe do të vazhdojë të jetë kështu.

Sidoqoftë Trump nuk ofroi asnjë provë për këtë pretendim të tijin, ndërkohë që mediat amerikane tashmë po përpiqen të marrin edhe një koment nga zoti Obama. Më herët gjatë këtij muaji, Trump gjithashtu tha për Fox News, se raportimet për biseda telefonike të tij me liderët e Meksikës dhe Australisë shkaktoheshin pikërisht nga rrjedhja e informacionit prej “njerëzve të Obamas”. Administrata e republikanit është shqetësuar nga të tilla incidente dhe presidenti vazhdimisht ka sulmuar personat përgjegjës për to, qëkur ka marrë detyrën. Sipas tij, publikimi i këtyre informacioneve dëmton rëndë sigurinë kombëtare.
Sigal